Botë

Tempulli budist në Tajlandë mbetet pa murgj, rezultuan pozitivë për drogë

Një tempull i vogël budist në Tajlandë ka mbetur pa asnjë murgj pasi të gjithë u pushuan nga puna për shkak të dështimit në testet e drogës, thanë zyrtarët lokalë.

Katër murgj, përfshirë abatin, rezultuan pozitivë për metamfetaminën në provincën veriore të Phetchabun, tha zyrtari Boonlert Thintapthai për agjencinë e lajmeve AFP.

Thintapthai tha se murgjit u dërguan më pas në një klinikë shëndetësore për t'iu nënshtruar rehabilitimit nga droga. Bastisja vjen në mes të një fushate kombëtare për të luftuar trafikun e drogës.

"Tempulli tani është bosh nga murgjit dhe fshatarët e afërt janë të shqetësuar se nuk mund të bëjnë asnjë meritë", ka thënë Thintapthai.

Krijimi i meritave është një praktikë e rëndësishme budiste ku adhuruesit fitojnë një forcë mbrojtëse përmes veprave të mira - në këtë rast duke u dhënë ushqim murgjve.

Por Thintapthai tha se zyrtarët rajonalë kishin kërkuar ndihmën e shefit të manastirit lokal, i cili kishte premtuar të caktonte disa murgj të rinj në tempullin në rrethin Bung Sam Phan në një përpjekje për të adresuar shqetësimet e adhuruesve.

Vitet e fundit, metamfetamina është bërë një çështje kryesore në Tajlandë, me konfiskimet e drogës që kanë arritur nivelin më të lartë në vitin 2021, sipas Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin.

Vendi është një pikë kryesore tranziti për metamfetaminën. Droga vërshon në vend nga Birmania që llogaritet të jetë prodhuesi më i madh në botë i metamfetaminës - nëpërmjet Laosit.