Kirurgu Oleh Duda nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vazhdonte të punonte vetëm me një fener. Rryma erdhi kur një gjenerator filloi të punonte tre minuta më vonë, por u ndje si një përjetësi. "Këto minuta fatale mund t'i kishin kushtuar me jetë pacientit", tha Duda për Associated Press. Operacioni në një arterie kryesore u zhvillua më 15 nëntor, kur qyteti në Ukrainën perëndimore pësoi ndërprerje energjie elektrike, ndërsa Rusia lëshoi një tjetër breshëri raketash në rrjetin elektrik të Ukrainës, duke dëmtuar gati 50% të objekteve energjetike të vendit
Dr. Oleh Duda, një kirurg kanceri në një spital në Lviv, Ukrainë, ishte në mes të një operacioni të komplikuar dhe të rrezikshëm kur dëgjoi shpërthime aty pranë. Pak çaste më vonë dritat u fikën.
Duda nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vazhdonte të punonte vetëm me një fener për dritë. Rryma erdhi kur një gjenerator filloi të punonte tre minuta më vonë, por u ndje si një përjetësi.
"Këto minuta fatale mund t'i kishin kushtuar jetën pacientit", tha Duda për Associated Press.
Operacioni në një arterie kryesore u zhvillua më 15 nëntor, kur qyteti në Ukrainën perëndimore pësoi ndërprerje energjie elektrike, ndërsa Rusia lëshoi një tjetër breshëri raketash në rrjetin elektrik të Ukrainës, duke dëmtuar gati 50% të objekteve energjetike të vendit.

Sulmet shkatërruese
Sulmet shkatërruese, të cilat vazhduan javën e kaluar dhe e zhytën vendin edhe një herë në errësirë, tensionuan dhe prishën sistemin e kujdesit shëndetësor, tashmë të goditur nga vite të tëra korrupsioni, keqmenaxhimi, pandemie COVID-19 dhe nëntë muaj luftë.
Operacionet e planifikuara po shtyhen; të dhënat e pacientëve nuk janë në dispozicion për shkak të ndërprerjeve të internetit; dhe mjekëve u është dashur të përdornin elektrik dore për të ekzaminuar pacientët në apartamente të errësuara.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha javën e kaluar se sistemi shëndetësor i Ukrainës po përballet me "ditët e tij më të errëta në luftë deri më tani", mes krizës në rritje të energjisë, fillimit të motit të ftohtë të dimrit dhe sfidave të tjera.
“Ky dimër do të jetë kërcënues për jetën për miliona njerëz në Ukrainë”, tha në një deklaratë drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, dr. Hans Kluge.
Ai parashikoi se 2 milionë deri në 3 milionë njerëz të tjerë mund të largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të ngrohtësisë dhe sigurisë dhe "do të përballen me sfida unike shëndetësore, duke përfshirë infeksionet e frymëmarrjes si COVID-19, pneumonia dhe gripi".
“Gëzohuni rusë…”
Javën e kaluar Instituti i Zemrës i Kievit postoi në faqen e tij në Facebook një video të kirurgëve që operonin në zemrën e një fëmije me dritën e vetme që vinte nga fenerët dhe një elektrik dore me bateri.
“Gëzohuni, rusë, një fëmijë është në tryezë dhe gjatë një operacioni dritat janë fikur plotësisht”, tha në video dr. Boris Todurov, drejtor i institutit në kryeqytet. "Tani do të ndezim gjeneratorin - për fat të keq, do të duhen disa minuta".
Sulmet kanë goditur gjithashtu spitalet dhe klinikat ambulatore në Ukrainën juglindore. OBSH-ja tha në një deklaratë javën e kaluar se ata kanë verifikuar të paktën 703 sulme midis 24 shkurtit, kur trupat ruse u futën në Ukrainë pas 23 nëntorit.
Kremlini ka hedhur poshtë akuzat se synon objektet civile. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, insistoi edhe një herë javën e kaluar se Rusia po synon vetëm objekte "të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me fuqinë ushtarake".
Por vetëm javën e kaluar një goditje në një repart materniteti në një spital në Ukrainën lindore vrau një të porsalindur dhe plagosi rëndë dy mjekë. Në rajonin verilindor të Kharkivit, dy persona u vranë pasi forcat ruse bombarduan një klinikë ambulatore.

“Muret po dridheshin”
Në Lviv, Duda tha se shpërthimet ishin aq afër spitalit sa "muret po dridheshin" dhe mjekët e pacientët duhej të zbrisnin nën strehën në bodrum - diçka që ndodh sa herë që bie një sirenë e sulmit ajror.
Spitali, i specializuar në trajtimin e kancerit, kreu vetëm 10 nga 40 operacionet e planifikuara për atë ditë.
Në qytetin jugor Kherson të rimarrë së fundmi, pa energji pas tërheqjes ruse, ashensorët e paralizuar janë një sfidë e vërtetë për mjekët ndihmës.
Ata duhet t'i transportojnë pacientët e palëvizshëm deri në shkallët e ndërtesave të banimit dhe pastaj t'i sjellin përsëri në sallat e operacionit.
Nëpër Kherson, ku fillon të errësohet pas orës 16:00 në fund të nëntorit, mjekët po përdorin fenerët, dritat e telefonit dhe elektrik dore. Në disa spitale, pajisjet kryesore nuk funksionojnë më.
Të martën e kaluar sulmet ruse në qytetin jugor plagosën 13-vjeçarin, Artur Voblikov, dhe mjekëve iu desh t'ia amputonin krahun. Punonjësit mjekësorë e çuan adoleshentin nëpër shkallët e errëta të një spitali për fëmijë në një sallë operacioni në katin e gjashtë.
“Makinat e frymëmarrjes nuk funksionojnë, aparatet me rreze X nuk funksionojnë ... Ekziston vetëm një makinë portative me ultratinguj dhe ne e mbajmë atë vazhdimisht”, tha dr. Volodymyr Malishchuk, shef i kirurgjisë në një spital për fëmijë në Kherson.
Ndihma perëndimore
Gjeneratori që përdor spitali i fëmijëve u prish javën e kaluar duke e lënë objektin pa asnjë lloj energjie për disa orë. Mjekët po i mbështjellin të porsalindurit me batanije, sepse nuk ka ngrohje, tha dr. Olga Pilyarska, zëvendësdrejtore e kujdesit intensiv.
Mungesa e ngrohjes e bën të vështirë operimin e pacientëve, tha doktoresha Maya Mendel, në të njëjtin spital. "Askush nuk do ta vendosë një pacient në një tryezë operative kur temperaturat janë nën zero", tha ajo.
Ministri i Shëndetësisë, Viktor Liashko, tha të premten se nuk ka plane për mbylljen e asnjë prej spitaleve të vendit, sado e keqe të jetë situata, por autoritetet do të “optimizojnë përdorimin e hapësirës dhe do të grumbullojnë gjithçka që është e nevojshme në zona më të vogla” për të bërë ngrohjen më të lehtë.
Liashko tha se gjeneratorë me naftë ose gaz janë siguruar në të gjitha spitalet e Ukrainës dhe në javët e ardhshme 1.100 gjeneratorë të tjerë të dërguar nga aleatët perëndimorë të vendit do të dërgohen gjithashtu në spitale. Aktualisht spitalet kanë karburant të mjaftueshëm për shtatë ditë, tha ministri.
Gjeneratorët shtesë rezervë janë ende shumë të nevojshëm, shtoi ministri. "Gjeneratorët janë projektuar për të punuar për një periudhë të shkurtër kohe - tri deri në katër orë", por ndërprerjet e energjisë mund të zgjasin deri në tri ditë, tha Liashko.
Në territoret e rikapura së fundmi sistemi mjekësor është duke u dëmtuar nga pushtimi rus prej muajsh.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka akuzuar forcat ruse për mbylljen e objekteve mjekësore në rajonin Kherson dhe grabitjen e pajisjeve mjekësore.
“Rusët vodhën edhe peshqirë, batanije dhe fasha…”
Dr. Olha Kobevko, e cila kohët e fundit është kthyer nga zona e rimarrë e Khersonit, pasi dërgoi ndihma humanitare atje, u bëri jehonë fjalëve të presidentit në një intervistë.
“Rusët vodhën edhe peshqirë, batanije dhe fasha nga objektet mjekësore”, tha Kobevko.
Në Kiev shumica e spitaleve funksionojnë si zakonisht, ndërsa një pjesë të kohës mbështeten te gjeneratorët.
Ordinanca më të vogla private dhe klinikat stomatologjike ndërkohë po e kanë të vështirë t'i mbajnë dyert e tyre të hapura për pacientët.
Dr. Viktor Turakevich, dentist në Kiev, tha se duhet të ricaktojë edhe vizitat urgjente, sepse ndërprerjet e energjisë në klinikën e tij zgjasin të paktën katër orë në ditë dhe një gjenerator që ai porositi do të marrë javë për të mbërritur.
"Çdo mjek duhet t'i përgjigjet një pyetjeje se kë do të marrë së pari", tha Turakevich.
Ndërprerjet e energjisë e kanë bërë gjithashtu të vështirë qasjen në të dhënat e pacientëve në internet dhe sistemi i Ministrisë së Shëndetësisë që ruan të gjitha të dhënat nuk ka qenë në dispozicion, tha Kobevko, i cili punon në qytetin perëndimor Chernivtsy.
Duda, kirurgu i kancerit nga Lviv, tha se tre mjekë dhe disa infermierë nga spitali i tij u larguan për të trajtuar ushtarët ukrainas në vijën e frontit.
“Lufta ka prekur çdo mjek në Ukrainë, qoftë në perëndim apo në lindje, dhe niveli i dhimbjes me të cilin po përballemi çdo ditë është i vështirë të matet”, tha Duda.
Përktheu: Forca Jashari