Botë

Dyshohet për disa viktima nga rrëshqitjet e dheut në Itali

Descriptive Text

Disa persona dyshohet se janë të vdekur e disa ta zhdukur, pasi një stuhi e fortë shkaktoi një rrëshqitje dheu në ishullin italian të Ischia.

Ishulli, në Gjirin e Napolit, u përfshi nga shiu i madh gjatë natës, me rrëshqitje të dheut që goditi fshatin Casamicciola Terme herët të shtunën në mëngjes, duke përmbytur shtëpi dhe duke rrëmbyer disa makina, raportoi The Guardian.

Zëvendëskryeministri italin, Matteo Salvini raportoi për 13 persona të zhdukur.

Mes të zhdukurve është një familje me dy fëmijë dhe një çift me një fëmijë të porsalindur, sipas lajmeve italiane. Një 60-vjeçar është dërguar në spital me plagë të rënda.

Në zonën e prekur është ndërprerë energjia elektrike ndërsa rreth 30 familje kanë mbetur të bllokuara në banesat e tyre në fshatin Lacco Ameno, ku raportohet se janë shembur disa ndërtesa.

"Është një situatë e komplikuar, shtëpitë janë shkulur nga rrëshqitja e dheut”, ka thënë shefi i policisë Tiziano Laganà për La Repubblica.

Në vitin 2017, Casamicciola u godit nga një tërmet në të cilin mbetën të plagosur 42 persona. Një rrëshqitje dheu në fshat në vitin 2009 la të vdekur një vajzë 14-vjeçare.

Pjesa më e madhe e Italisë është goditur nga shirat e dendur gjatë javës së kaluar. Në shtator, 13 njerëz u mbytën nga përmbytjet e mëdha në rajonin qendror Marche.