Të paktën 17 anëtarë të një familjeje ishin në mesin e të vdekurve kur një zjarr shpërtheu në një apartament në katin e fundit në Rripin e Gazës gjatë një festë ditëlindjeje, ka thënë një i afërm të shtunën, shkruan AP.
Zyrtarët në Gazën e drejtuar nga Hamasi kanë thënë se zjarri i së enjtes mbrëma në një ndërtesë banimi trekatëshe në kampin e refugjatëve Jabaliya ishte ndezur nga benzina e depozituar. Ata thanë se nuk ishte e qartë se si u ndez benzina dhe se një hetim është duke u zhvilluar.
Zyrtarët thonë se numri i të vdekurve është 21, duke e bërë atë një nga incidentet më vdekjeprurëse në Gaza në vitet e fundit, jashtë dhunës që rrjedh nga konflikti izraelito-palestinez.
Zjarri shkatërroi apartamentin në katin e fundit të ndërtesës, shtëpia e familjes Abu Raya.
Mohammed Abu Raya, një familjar i viktimave, ka thënë se familja e gjerë ishte mbledhur për festimin e ditëlindjes së njërit prej fëmijëve dhe kthimin e një prej të rriturve nga një udhëtim në Egjipt.
Abu Raya kundërshtoi pohimet se benzina nxiti zjarrin, duke thënë se mobilet e bëra nga materiale të ndezshme kishin më shumë gjasa të kishin përshpejtuar zjarrin.
"Fatkeqësia ishte se askush nuk doli i gjallë për të na treguar të vërtetën", ka thënë ai. "Unë nuk mendoj se është ruajtur benzinë".
Abu Raya ka thënë se të vdekurit ishin nga tre breza të Abu Rayas - një çift, pesë djemtë e tyre, dy nuset dhe tetë nipërit dhe mbesat.
Gaza përballet me një krizë të rëndë energjetike, kryesisht për shkak të një bllokade kufitare izraelito-egjiptiane që ka qenë në vend që kur militantët islamikë Hamas morën kontrollin e territorit 15 vjet më parë.
Njerëzit shpesh ruajnë gazin, naftën dhe benzinën në shtëpi në përgatitje për dimër. Zjarret në shtëpi janë shkaktuar më parë nga qirinjtë dhe rrjedhjet e gazit.