Kardinali francez rrëfen publikisht se abuzoi seksualisht me një të mitur
Foto: AP
Zyra e Prokurorit në Marsejë ka hapur hetim për “sulm të rëndë seksual” kundër kardinalit Jean-Pierre Ricard, një nga klerikët më të lartë të Kishës Katolike në Francë.
Përmes një letre e cila u lexua gjatë një konferencë të peshkopëve francezë, Ricard tha se ai kishte abuzuar me një 14-vjeçare para 35 vjetësh dhe po tërhiqet nga detyrat e tij fetare, raportoi AP.
Hetimi u hap të martën pas letrës.
Zyra tha se ende nuk kishte ankesë zyrtare që është bërë nga dikush kundër kardinalit.
Ricard, 78 vjeç, ka qenë kryepeshkop i Bordeauxit deri sa u pensionua nga ajo pozitë më 2019 për të shërbyer në dioqezën Dignes-les-Bains. Në vitet 1980 ai ishte prift në dioqezën e Marsejës.
Bazuar në rrëfimin e tij, Ricard është subjekt edhe i sanksioneve nga kisha.