Në një deklaratë të rrallë për situatën në frontin në Ukrainë, lideri çeçen Ramzan Kadyrov pranon se ka pasur humbje të mëdha në radhët e tij pas një sulmi artilerie nga ushtria ukrainase, shkruan Reuters.
"Në fillim të kësaj jave, një nga njësitë çeçene u granatua në rajonin Kherson. 23 luftëtarë u vranë dhe 58 u plagosen", ka thënë Kadyrov.
Aleati i Kremlinit rrallë ka pranuar se ka humbur ushtarët e tij, por pranoi se ajo ditë ishte shumë e rëndë.
Burimet ukrainase raportuan në fillim të kësaj jave se një njësi çeçene në rajonin Kherson të Ukrainës jugore dha vendndodhjen e saj përmes fotove në mediat sociale, duke bërë që ajo të goditet nga zjarri artilerie.
Komentet e Kadyrovit janë të pazakonta duke pasur parasysh se forcat ruse rrallë pranojnë humbje të mëdha në fushën e betejës dhe zyrtarët rusë nuk japin shifrat e tyre të viktimave.
Udhëheqësi çeçen u bëri thirrje gjithashtu bashkatdhetarëve që të mobilizohen për luftën në Ukrainë.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë më shumë se tetë muaj më parë, Kadyrovi është shquar si një nga mbështetësit më të mëdhenj të luftës dhe ka dërguar trupat e tij në Ukrainë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.