Botë

Qeverisë së re italiane i kërkohet qëndrim më i qartë për Ukrainën

Descriptive Text

Enrico Letta, lider i partisë demokratike në Itali, ka kritikuar ashpër publikimin e fjalimit të Silvio Berlusconit, në të cilin ai shfaq pozicionet e tij pro-Rusisë.

Lideri opozitar i ka bërë thirrje qeverisë së re që të mos tregojë paqartësi në kundërshtimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Silvio Berlusconi, i cili do të jetë pjesë e koalicionit të Qeverisë së re të Italisë, ka nxitur një stuhi kritikash duke u mburrur se ai i ka ripërtërirë lidhjet me Vladimir Putinin përmes shkëmbimit të "letrave të bukura" në të cilat lideri rus e kishte quajtur atë "numrin një ndër pesë miqtë më të mirë të tij".

Në audion e takimit të siguruar nga agjencia italiane e lajmeve, LaPresse, Berlusconi tha se Putini i kishte dërguar atij njëzet shishe vodka për ditëlindjen e tij dhe një "letër shumë të bukur".

Qeveria e re e prirë nga liderja e krahut të djathtë ekstrem, Giorgia Meloni, pritet të formohet gjatë kësaj jave, pas konsultimeve të së enjtes me presidentin italian, Sergio Matarella.

Meloni do të jetë kryeministrja e parë italiane. Asaj do t’i duhet të formojë qeverinë me ish-kryeministrin Berlusconi dhe Matteo Salvinin.