Prodhuesi francez i çimentos “Lafarge” është deklaruar fajtor në SHBA për mbështetjen e Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera terroriste, raportoi BBC.
Firma pranoi të paguante një gjobë prej 777.8 milionë dollarësh se kishte dhënë ryshfet për të mbajtur një fabrikë në funksionim në Siri pas shpërthimit të luftës më 2011.
Prokurorët thanë se kjo ishte hera e parë që një kompani u deklarua fajtore në SHBA për ndihmën që ua ka dhënë terroristëve.
“Lafarge” tha se "ndjen keqardhje të thellë" për ngjarjet dhe "pranoi përgjegjësinë për drejtuesit individualë të përfshirë".
Prodhuesi i çimentos, i cili u ble nga “Holcim” i Zvicrës më 2015, tha se sjellja e tyre kishte qenë në "shkelje flagrante" të kodit të sjelljes së “Lafarge”.
Firma hapi fabrikën e saj në Jalabiya pranë kufirit turk më 2010 pas një investimi prej 680 milionë dollarësh.
Prokurorët amerikanë thanë se dega siriane e “Lafarge” i kishte paguar Shtetit Islamik dhe një grupi tjetër terrorist, Al Nusra Front, ekuivalentin prej 5.92 milionë dollarë për të mbrojtur stafin në fabrikë ndërsa lufta civile në vend u intensifikua.
“Lafarge” eventualisht evakuoi fabrikën në shtator 2014, kur Shteti Islamik mori kontrollin e qytetit dhe fabrikës.
© KOHA.