Botë

Vdesin 10 fëmijë me leukemi në Jemen nga ilaçet me afat të skaduar

Të paktën 10 fëmijë të sëmurë me leukemi në Jemen kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë sëmurë rëndë, pasi iu administruan doza me afat të skaduar të një trajtimi për kancer në kryeqytetin e kontrolluar nga rebelët, raportoi AP.

Konflikti në Jemen, që tani po hyn në vitin e tij të tetë, ka shkaktuar një nga krizat më të rënda humanitare në botë dhe ka lënë të vrarë mbi 150,000 njerëz.

Fëmijët ishin të moshës nga tre deri në 15 vjeç dhe vdiqën në Spitalin e Kuvajtit pasi iu injektuan doza të vjetra të ilaçeve të kontrabanduara në një numër klinikash private, tha në një deklaratë Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga rebelët. Zyrtarët nuk thanë se kur ndodhën 10 vdekjet.

Sipas dhjetëra zyrtarëve shëndetësorë dhe punonjësve rreth 50 fëmijë morën trajtimin me kimioterapi të njohur si Methotrexate që fillimisht ishte prodhuar në Indi. Ata thanë se gjithsej 19 fëmijë kishin vdekur nga trajtimi i skaduar.

Në mes të luftës, mungesa në qasje në burime bazike si ushqim dhe barna, ka krijuar rrjete të mëdha kontrabande në shumë zona.