Botë

Hill: Serbia e ka kuptuar se duhet të largohet nga Rusia

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Chistopher Hill, e ka vlerësuar “gotë gjysmë të mbushur” Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Serbinë.

Ai të enjten, tha se ka bindjen se Serbia e ka kuptuar që duhet të distancohet nga Rusia për shkak të agresionit të këtij vendi mbi Ukrainën.

“Ne të gjithë e dimë për këto vështirësi, por mendimi im është se Serbia e ka kuptuar se duhet të largohet nga Rusia dhe mendoj se po shohim progres, se Serbia po e bën atë që duhet ta bëjë. Përparimi u pa edhe në Nju Jork, kur Serbia iu bashkua 145 vendeve të tjera në dënimin e sulmit të Rusisë ndaj fqinjit të saj”, tha Hill, përcjell “b92”.

Raporti i Progresit për Serbinë mes shumë kritikave për dështime në shumë fusha, vë në pah edhe qëndrimin e Serbisë për luftën në Ukrainë.

Serbia është ndër vendet e vetme në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë, por ka miratuar disa rezoluta në OKB që dënojnë këtë sulm të Rusisë ndaj vendit të fqinj.

Pos SHBA-së, edhe Brukseli zyrtar ka kërkuar në vazhdimësi nga Serbia të koordinojë politikën e saj të jashtme me të BE-së, aty ku synon të anëtarësohet.