Botë

Dy rusë ikin me varkë nga Rusia në SHBA, kërkojnë azil

Dy rusë janë arrestuar të enjten, nga zyrtarët amerikanë, pasi mbërritën me një varkë të vogël në ishullin St Lawrence në Alaskë, njoftoi BBC-ja.

Me qëllim të shmangies së rekrutimit për luftë në Ukrainë, rusët kanë zbarkuar në një plazh në fshatin Gambell dhe kërkuan azil në vend, kanë njoftuar dy senatorë amerikanë që e përfaqësojnë shtetin.

Një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare tha se kërkesa e tyre për azil është duke u përpunuar.

Mijëra persona janë larguar nga Rusia qëkur presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur mobilizimin e pjesshëm duke paralajmëruar thirren e 300 mijë burrave për të luftuar në Ukrainë.

Gambell - shtëpia e më pak se 500 banorëve të përhershëm - ndodhet në kepin veriperëndimor të ishullit St Lawrence. Ishulli ndodhet 56 km larg Gadishullit Chukchi të Rusisë. Gambell është më afër shtetit rus sesa Alaskës.

Sipas mediave lokale, banorët e Gambellit mund të shohin territorin rus të Siberisë përtej detit.

Autoritetet kanë njoftuar se rusët dolën në breg me një varkë të vogël të martën dhe janë dërguar në Anchorage, qyteti më i madh i Alaskës, për t’u shqyrtuar rastin e tyre.

“Ardhja e tyre ishte një befasi për ne”, ka thënë guvernatori i Alaskës, Mike Dunleavy në një konferencë për media të enjten.

Senatori i Alaskës, Dan Sullivan tha se udhëheqësit e komunitetit në Gambell e kishin kontaktuar atë për mbërritjen e burrave të martën. Ai njoftoi se u ka kërkuar autoriteteve federale ta përgatisin një plan në rast se rritet numri i rusëve që ikin nga vendi i tyre për në Alaskë.

"Ky incident bën të qarta dy gjëra: Së pari, populli rus nuk e dëshiron luftën agresive të Putinit kundër Ukrainës. Së dyti, duke pasur parasysh afërsinë e Alaskës me Rusinë, shteti ynë ka një rol jetësor për të luajtur në sigurinë kombëtare të Amerikës”, ka thënë Sullivan, të enjten.