Botë

Rrëfimi i punëtorëve të qendrës bërthamore në Ukrainë

Rreth 4 mijë punëtorë të qendrës bërthamore u larguan. Ata që qëndruan përmendën kërcënimet për rrëmbim dhe torturë – nënvizuar nga rrëmbimi të premten i drejtorit të centralit Ihor Murashov, i cili u kap dhe iu mbuluan sytë nga forcat ruse teksa kthehej nga puna në shtëpi.

I vetëm në banesën e tij në qytetin Enerhodas të pushtuar nga Rusia në Ukrainën juglindore, roja i sigurisë së centralit bërthamor, Serhiy Shvets, po vështronte nga dritarja e kuzhinës së tij në fund të muajit maj dhe pa persona të armatosur që po afroheshin në rrugën më poshtë. Kur cingëroi zilja, ishte i sigurt se do të vdiste.

Shyets, ish-ushtar në ushtrinë e Ukrainës, që ishte besnik ndaj Kievit, e dinte se personat e armatosur ose do ta vrisnin ose do ta rrëmbenin dhe torturonin. Ai kishte menduar shkurt për regjistrimin e një lamtumire me familjen e tij, e cila kishte ikur në vend të sigurt, jashtë Ukrainës, mirëpo në vend të kësaj, ndezi cigaren dhe kapi armën e vet.

Gjashtë ushtarë rusë ia thyen derën dhe hapën zjarr dhe ai u kthye. I plagosur në dorë, kofshë, vesh dhe stomak, Shvets filloi t’i humbiste ndjenjat. Përpara se mos të kuptonte më asgjë, dëgjoi komandantin e grupit t’u thoshte njerëzve të tij që të ndalonin së qëlluari dhe të thërrisnin ambulancën.

Shvets, i cili u mbijetoi të shtënave, është në mesin e punëtorëve të termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias që rrëfen frikën e tyre për t’u rrëmbyer dhe torturuar ose vrarë nga forcat ruse që pushtuan objektin dhe qytetin e Enerhodarit. Zyrtarët ukrainas kanë bërë të ditur se rusët kanë kërkuar ta frikësojnë stafin për ta mbajtur fabrikën në punë, përmes brutalitetit dhe abuzimeve të tjera, por edhe për t’i ndëshkuar ata që shprehin mbështetje për Kievin.

Jeta para luftës

Jeta ishte e mirë për punonjësit e termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias përpara pushtimit rus të 24 shkurtit. Atyre u garantohej jetë financiarisht e sigurt dhe e qëndrueshme për familjet e tyre.

Edhe pse Ukraina ende mban plagët psikologjike të aksidentit atomik më të rëndë në botë në Çernobil në vitin 1986, centrali i Zaporizhzhias - impianti më i madh bërthamor në Evropë me gjashtë reaktorët e saj - siguroi punë për rreth 11 mijë njerëz, duke e bërë Enerhodarin dhe popullsinë e tij prej 53 mijë banorësh të paraluftës një nga qytetet më të pasura në rajon.

Por pasi Rusia pushtoi qytetin në fillim të luftës, ajo jetë dikur e rehatshme, u shndërrua në makth.

Pushtuesit pushtuan ZNPP-në, rreth 6 kilometra nga Enerhodari, por mbajtën stafin ukrainas në vend për ta drejtuar atë. Të dyja palët akuzuan tjetrën për granatimin e centralit që dëmtoi linjat e energjisë që e lidhin atë me rrjetin, duke ngritur alarmin ndërkombëtar për sigurinë e tij. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se rusët e përdorën fabrikën si mburojë nga e cila gjuanin predha në qytetet e afërta.

Raportet për frikësimin e stafit dhe rrëmbimet filluan të përhapeshin gjatë verës. Rafael Mariano Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, i ka bërë të ditura raportet për dhunë midis rusëve dhe stafit ukrainas.

Rreth 4 mijë punëtorë të qendrës bërthamore u larguan. Ata që qëndruan përmendën kërcënimet për rrëmbim dhe torturë – nënvizuar nga rrëmbimi të premten e drejtorit të centralit Ihor Murashov, i cili u kap dhe iu mbuluan sytë nga forcat ruse teksa kthehej nga puna në shtëpi.

Ai u lirua të hënën pasi u detyrua të bënte deklarata të rreme në kamera, sipas Petro Kotin, kreu i Energoatom, kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës. Kotin ka thënë për AP-në Murashov u lirua në skaj të territorit të kontrolluar nga Rusia dhe eci rreth 15 kilometra në zonat e kontrolluara nga ukrainasit.

“Do të thosha se ishte torturë mendore”, ka theksuar Kotin për atë që pësoi Murashov. “Ai duhej të thoshte se të gjitha granatimet në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias ishin bërë nga forcat ukrainase dhe se ai është një spiun ukrainas… në kontakt me forcat speciale ukrainase”.

Kryetari i bashkisë në mërgim të Enerhodarit, Dmytro Orlov, i cili foli me Murashovin pas lirimit të tij, ka thënë se zyrtari i centralit i tha se kishte kaluar dy ditë “në izolim në bodrum, me pranga dhe një çantë në kokë. Gjendja e tij vështirë se mund të quhet normale”.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy, e ka përshkruar rrëmbimin e Murashovit si “një tjetër manifestim i terrorit rus absolutisht të zbuluar”.

Ngjarjet e tmerrshme

Më shumë se 1 mijë njerëz, duke përfshirë punëtorë të centralit, u rrëmbyen nga Enohodari, megjithëse disa janë liruar, ka vlerësuar Orlov, i cili iku në Zaporizhzhia, qyteti më i afërt nën kontrollin ukrainas, pasi refuzoi të bashkëpunonte me rusët. Koti vlerësoi se 100-200 të tjerë mbeten peng.

Orlov ka bërë të ditur se rrëmbimi i parë ishte më 19 mars, kur rusët kapën zëvendësin e tij, Ivan Samoidiuk, vendndodhja e të cilit mbetet e panjohur. Rrëmbimet më pas u përshpejtuan, ka treguar ai.

“Kryesisht, ata morën njerëz me qëndrime pro-ukrainase, të cilët ishin të përfshirë në mënyrë aktive në lëvizjen e rezistencës”, ka theksuar ai.

Orlov ka pretenduar se ata ishin torturuar në vende të ndryshme në Enerhodar, duke përfshirë në stacionin e policisë së qytetit, në bodrume diku tjetër dhe madje edhe në vetë ZNPP.

“Gjëra të tmerrshme ndodhin atje”, ka thënë ai. “Njerëzit që arritën të dilnin thonë se ka pasur tortura me rryma elektrike, rrahje, përdhunime, të shtëna. ... Disa njerëz nuk mbijetuan”.

Vende të ngjashme u panë nga gazetarët e AP-së në pjesë të rajonit të Kharkivit, të braktisura nga trupat ruse pas një kundërofensivë ukrainase. Në qytetin e Izium, një hetim i AP ka zbuluar 10 vende të veçanta torture.

Punëtori i centralit, Andriy Honcharuk vdiq në një spital më 3 korrik, menjëherë pasi rusët e liruan atë, të rrahur dhe pa ndjenja, sepse refuzoi të zbatonte urdhrat e tyre në objekt, ka treguar Orlov.

Oleksii, punëtor i cili tha se ishte përgjegjës për kontrollin e turbinave dhe ndarjes së reaktorit të centralit , u largua nga Enerhodari në qershor kur mësoi se trupat ruse po e kërkonin. 39-vjeçari kërkoi të mos identifikohej me emrin e tij të plotë nga frika e hakmarrjes.

“Ishte e vështirë psikologjikisht”, ka thënë Oleksii për AP-në në Kiev. “Shkoni në stacion dhe i shihni pushtuesit atje. Kthehesh në vendin e punës tashmë në depresion”.

Shumë punonjës të fabrikës “vizituan bodrumet” dhe u torturuan atje, ka shpjeguar ai.

“Varret u shfaqën në pyllin që rrethon qytetin. Domethënë, të gjithë e kuptojnë se diçka e tmerrshme po ndodh”, ka thënë ai. “Ata rrëmbejnë njerëz për pozicionin e tyre pro-ukrainas, ose nëse gjejnë ndonjë grup Telegram në telefonin e tyre. Kjo mjafton që ata ta largojnë një person”.

Një punonjës tjetër që foli në kushte anonimiteti nga frika e sigurisë së tij tha se ai nuk kishte frikë të punonte në central mes granatimeve, por vendosi të ikte në shtator pasi kolegët u kapën. Ai ka treguar se rusët e vizituan shtëpinë e tij dy herë derisa ai ishte larg, dhe mundësia e torturës ishte e tepërt për të.

Reaktori i fundit i centralit u mbyll në shtator për t’u mbrojtur nga një fatkeqësi nga granatimet e vazhdueshme që ndërprenë furnizimet e jashtme të besueshme të energjisë të nevojshme për ftohjen dhe sistemet e tjera të sigurisë. Kotin tha se kompania mund të rifillojë dy nga reaktorët brenda pak ditësh për të mbrojtur instalimet e sigurisë ndërsa dimri afrohet dhe temperaturat bien.

Por termocentrali ndodhet në një nga katër rajonet që Rusia ka aneksuar, duke e bërë të ardhmen e tij të pasigurt.

“Vdekje apo liri”

Për Serhiy Shvets, banesa e të cilit u bastis më 23 maj, ishte vetëm çështje kohe para se rusët të vinin ta kërkonin gjatë okupimit të Enerhodarit. Ai ishte regjistruar për të shërbyer në forcat e mbrojtjes territoriale të Ukrainës menjëherë pas pushtimit dhe për siguri kishte dërguar gruan dhe të afërmit e tij jashtë vendit.

Ai ka theksuar se forcat ruse që e qëlluan e thirrën ambulancën “që të mund të vdisja në spital”.

Mjekët fillimisht i dhanë shans 5% për të mbijetuar pasi humbi gati dy të tretat e gjakut. Por pas disa operacioneve, ai ishte mjaft mirë që u largua nga Enerhodar në korrik dhe jeton në Zaporizhzhia.

Shvets, dora e djathtë e të cilit është në një mbajtës metalik, nxori në heshtje nga dhimbja ndërsa e lëvizi dhe tha se e vetmja gjë për të cilën i vjen keq tani është se është shumë i paaftë për të luftuar.

“Unë jam një pasardhës i Kozakëve Zaporozhian”, ka thënë ai, duke iu referuar paraardhësve të tij që jetuan në territorin e Ukrainës nga shekujt 15-18 dhe e mbrojtën atë nga pushtuesit. “Nuk kishte gjë të tillë si dorëzim për ta - vetëm vdekje a liri”.

“Pse do të doja një jetë të tillë nëse nuk e kam lirinë”, ka përfunduar ai.

Përktheu: Blerta Haxhiu