Botë

Lutjet për vdekje e të burgosurve amerikanë në Ukrainë

Burrat u kthyen në Ukrainë në një “vend të errët” në Donetsk për gati një muaj marrje në pyetje shtesë. Ata përfundimisht u dërguan në një bllok qelie izolimi brenda një ish-burgu ukrainas. Atje Drueke dhe Huynh u detyruan të regjistronin deklarata propagandistike për një videokamerë ruse me ushtarë në dhomë

(AP) - Edhe pas tre muajsh robëri që përfshinte kërcënime me ekzekutim, torturë fizike, izolim dhe privim ushqimi, ishte udhëtimi drejt lirisë që gati e theu Alex Drueke, veteran ushtarak amerikan i liruar javën e kaluar me nëntë të tjerë të burgosur që shkuan për ta ndihmuar Ukrainën për të luftuar pushtuesit rusë.

Duart e tij ishin të lidhura. Koka e tij ishte e mbuluar me qese plastike dhe shiriti i paketimit që e mbante në vend ishte i fiksuar aq fort, sa i shkaktoi gërvishtje në ballë. Drueke tha se ai dhe shoku i tij i burgosur amerikan, Andy Huynh, arritën kufirin e tyre në këtë gjendje gjatë transitit, i cili ndodhi në një seri automjetesh nga Ukraina lindore në një aeroport në Rusi, që ishte i rrethuar nga roja të armatosura.

“Për të gjitha që kaluam dhe të gjitha kohët që menduam se mund të vdisnim, ne pranuam se mund të vdisnim, ishim gati të vdisnim kur të vinte, ai udhëtim ishte e vetmja herë që secili prej nesh në mënyrë të pavarur u lut për vdekjen vetëm për t’i dhënë fund asaj”, tha Drueke për Associated Press në një intervistë të premten.

“Tortura mendore dhe emocionale e atyre 24 orëve të fundit në robëri ishte më e keqja”, tha ai.

Drueke, 40 vjeç, po shërohet: ënjtja po i hiqet në kokë dhe po përpiqet të fitojë disa nga 13.6 kilogramët që mendon se ka humbur duke ngrënë një dietë të varfër. Por kujtimet e tmerrshme mbeten dhe ai nuk është i sigurt se çfarë do të vijë më pas, përveç përpjekjes për të përqendruar vëmendjen te shokët e burgosur që mbetën në duart ruse.

"Lufta nuk ka mbaruar", tha ai, duke folur në shtëpinë që ndan me nënën e tij dhe me të afërmit e tjerë në Tuscaloosa.

Drueke dhe Huynh, kolegë ushtarakë veteranë 27-vjeçar nga Alabama, ishin në mesin e qindra amerikanëve që shkuan në Ukrainë herët për të ndihmuar në luftën kundër Rusisë.

Më 9 qershor ata u kapën gjatë asaj që Drueke e përshkroi si mision zbulimi të lidhur me legjionin ndërkombëtar të Ukrainës, i përbërë nga vullnetarë të huaj.

"Të gjithë të tjerët arritën të ktheheshin në bazë të sigurt", tha ai.

Ushtarët rusë i morën dy burrat në kampin e tyre dhe më pas në Rusi për "marrje në pyetje intensive". Ndërsa nuk pranoi të hynte në detaje, Drueke tha se trajtimi ishte brutal.

“Çdo e drejta jonë njerëzore është shkelur”, tha ai. "Ne u torturuam".

Burrat u kthyen në Ukrainë në një “vend të errët” në Donetsk, për gati një muaj marrje në pyetje shtesë, tha ai. Ata përfundimisht u dërguan në një bllok qelie izolimi brenda një ish-burgu ukrainas. Atje, Drueke dhe Huynh u detyruan të regjistronin deklarata propagandistike për një videokamerë ruse me ushtarë në dhomë.

“Nga ana pozitive, kishte raste që na vendosnin në një dollap, të lidhur dhe me sy të mbuluar, ... ndërkohë që prisnin që të shfaqej cilido gazetar, dhe kjo i dha Andy-t dhe mua vetëm disa sekonda për t'i pëshpëritur gjërat dhe për të kontrolluar njëri-tjetrin", tha ai. "Ishte hera e parë që ne kishim biseduar brenda javësh në atë pikë".

Përfundimisht, pas javësh izolimi që përfshinte kërcënime të shumta, u bë e qartë se diçka – qoftë lirim, transferim burgu apo ekzekutim – ishte në zhvillim, tha Drueke, i cili iu bashkua Rezervës së Ushtrisë Amerikane pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, dhe shërbeu dy turne në Irak.

"Ne e dinim se diçka po ndodhte, sepse rutina jonë normale po anonte dhe ata po na bënin të pastronim të gjitha gjërat tona personale nga qelia", tha ai.

Por edhe atëherë, tortura mendore vazhdoi, tha ai. “Një nga rojat tha disa herë, ‘Jam shumë i sigurt që ju po ekzekutoheni’”, tha ai.

Në vend të kësaj, ata ishin pjesë e një grupi prej 10 burrash që u liruan më 21 shtator në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Arabia Saudite. Të tjerët që u liruan me ta ishin nga Kroacia, Maroku, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Askush nuk u qetësua derisa avioni ishte në ajër dhe një zyrtar nga Arabia Saudite shpjegoi se çfarë po ndodhte, tha ai. Duke u ulur në Nju- Jork pas një fluturimi nga Arabia Saudite, Drueke tha se ai dhe Huynh u takuan nga një zyrtar i Sigurisë Kombëtare nga një zyrë që heton krimet e luftës.

Ndihmësit e shtypit të Sigurisë Kombëtare nuk kthyen menjëherë një email duke kërkuar koment, por hetuesit e OKB-së për të drejtat e njeriut kanë thënë se të burgosurit e luftës ukrainas duket se po përballen me keqtrajtim "sistematik" nga robëruesit rusë, që përfshin torturën.

Përktheu: Forca Jashari