Botë

Rusia: Mund ta ulim prodhimin e naftës nëse kufizohet çmimi

Rusia ka paralajmëruar reduktim të prodhimit të naftës nëse vendosen çmimet tavan nga Perëndimi, shkruan të mërkurën “Al Jazeera”.

Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, ka thënë se ky vend mund ta ulë prodhimin e naftës në mënyrë që të kompensojë efektet negative nga kufizimet e çmimeve të vendosura nga Perëndimi si pasojë e veprimeve të Moskës në Ukrainë.

“Ne besojmë se ky mjet është në kundërshtim me të gjithë mekanizmat e tregut. Mund të jetë shumë e dëmshme për industrinë globale të naftës. Do të jemi të gatshëm të shkurtojmë prodhimin qëllimisht”, ka thënë Novak.

Plani për kufizim çmimesh, i dakorduar nga vendet e G7-s, kërkon që vendet pjesëmarrëse të mohojnë sigurimin, financimin, ndërmjetësimin dhe shërbime të tjera për ngarkesat e naftës me çmim mbi një kufi ende të pacaktuar për naftën e papërpunuar dhe produktet e saj.

Bashkimi Evropian po e shqyrton një kufi të çmimit të naftës që mund të përputhet me atë për të cilin pajtohet G7-a.