Botë

Rusia pretendon se i ka mobilizuar 200 mijë trupa për luftë në Ukrainë

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, deklaroi të martën, se deri më tani shteti ka arritur t'i mobilizojë 200 mijë trupa, për t'i çuar në frontet e luftës në Ukrainë.

Siç raportojnë mediat e huaja të martën, Shoigu tha se zyrtarët rusë janë udhëzuar për t'iu siguruar veshje dhe pajisje të nevojshme të rekrutuarve.

“Stërvitja e personelit të njësive të formuar po kryhet në 80 terrene stërvitore dhe gjashtë qendra stërvitore”, deklaroi ai.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, njoftoi javë më parë se synon t'i rekrutojë 300 mijë persona për luftë.

Ditë më parë është raportuar se dhjetëra qendra rekrutimi janë djegur nga persona të panjohur. Është raportuar edhe për gjendjen e mjerueshme të qendrave ku rusët po përgatiten për luftë.