Botë

Koreja e Veriut, shteti i parë në botë që njeh referendumet e Rusisë

Vendi i parë në botë që njohu referendumet ruse mbi territorin ukrainas është Koreja e Veriut, raportoi BBC-ja të martën.

Zyrtarët verikoreanë deklaruan se referendumet janë mbajtur “në përputhje të plotë me Kartën e OKB-së”.

“Vendi mbështet qëndrimin e Qeverisë ruse në lidhje me pranimin e rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhizhia në përbërjen e saj”, u tha nga Koreja e Veriut. Pro referendumit është shprehur Bjellorusia, shtet mik i Rusisë, por që ende s’i ka njohur lëvizjet ruse mbi tokat ukrainase.

Shtetet perëndimore janë shprehur kundër njohjes së referendumeve ruse mbi Ukrainë, me arsyetimin se janë jolegjitime dhe se nuk kanë respektuar Kartën e OKB-së.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se Amerika e njeh vetëm territorin aktual të Ukrainës, dhe “kurrë atë të referendumeve”.

Të martën, Këshilli i Federatës ruse njohu unanimisht referendumet, pasi u votua në Dumën Shtetërore. Tash pritet dekreti i presidentit Vladimir Putin.