Botë

Biden: SHBA-ja kurrë s’do t’i njohë përpjekjet e Rusisë për aneksimin e territorit ukrainas

Shtetet e Bashkuara "kurrë" nuk do ta njohin përpjekjen e Rusisë për të aneksuar territor në Ukrainë, ka deklaruar të enjten presidenti, Joe Biden.

Bideni e ka bërë këtë deklaratë një ditë përpara një fjalimi nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili pritet të deklarojë se katër rajone të Ukrainës po i bashkohen Rusisë, raportoi BBC-ja të premten.

Kremlini thotë se rajonet Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson votuan për t'u bashkuar me Rusinë në referendumet e fundit.

Por Ukraina dhe Perëndimi i kanë hedhur poshtë votat si një mashtrim.

SHBA-ja do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë si rezultat i aneksimit.

"Shtetet e Bashkuara, dua të jem shumë i qartë për këtë, kurrë, kurrë, kurrë nuk do t'i njohin pretendimet e Rusisë mbi territorin sovran të Ukrainës”, ka thënë Bideni.

Të enjten, presidenti rus nënshkroi dy dekrete që njohin Zaporizhzhian dhe Khersonin si territore të pavarura, duke hapur rrugën për aneksimin e tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres ka thënë se çdo aneksim i territorit të një vendi bazuar në përdorimin e forcës shkel Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar.

“Është një përshkallëzim i rrezikshëm që nuk ka vend në botën moderne”, tha ai.

Në një telefonatë me Putinin, edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan shprehu gjithashtu kundërshtimin e tij ndaj planit.