Botë

BE-ja propozon sanksione të reja kundër Rusisë

Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se Bashkimi Evropian po vendos sanksione të reja kundër Rusisë.

Von der Leyen ka thënë se Rusia ka kaluar në një nivel të ri përshkallëzimi të pushtimit të Ukrainës, përmes mobizilizimit dhe referendumeve të rreme dhe për këtë arsye, BE-ja sipas saj, ka vendosur të propozojë paketë të re masash shtrënguese ndaj këtij vendi.

Me anë të këtyre sanksioneve, BE-ja synon ta kufizojë edhe më tej tregtinë ruse.

“Ndalime të reja të importit të produkteve ruse, duke privuar ekonominë e këtij vendi nga shtatë miliardë euro të ardhura”, ka njoftuar shefja e KE-së në Twitter.

Ajo më tej njoftoi se blloku do të zgjerojë listën e produkteve që nuk mund të eksportohen në Rusi, veçanërisht ato që lidhen me armët, avionët dhe substancat kimike.

“Ndalim për shtetasit e BE-së që të ulen në organet drejtuese të kompanive shtetërore ruse. Një bazë ligjore për tavan të çmimit të naftës. Disa vende në zhvillim kanë ende nevojë për disa furnizime nafte ruse, me çmime të ulëta. Ky kufi do të ndihmojë në uljen e të ardhurave të Rusisë dhe mbajtjen e qëndrueshme të tregjeve globale të energjisë”, thuhet në njoftimin e Von der Leyenit.