Guvernatori i Floridës ka paralajmëruar qytetarët që të përgatiten për një “katastrofë të madhe” të mundshme, pasi uragani i kategorisë së dytë Ian po e kërcënon vendin, shkruan BBC-ja të martën.
Erërat e forta filluan të godasin bregun jugor të Kubës mbrëmjen e së hënës. Ian pritet të zbresë në bregun perëndimor të Floridës të mërkurën.
Rruga e saktë e uraganit është e pasigurt, por guvernatori Ron DeSantis paralajmëroi për “ndikime të mëdha në gjithë shtetin”.
Banorët kanë grumbulluar ushqime, ujë dhe karburant.
Disa pjesë të shtetit nuk kanë parë një uragan të këtyre përmasave për rreth një shekull.
Qendra Kombëtare e Uraganeve (NHC) tha se pret “forcim të shpejtë” të stuhisë gjatë 48 orëve të ardhshme.
“Ky është një uragan vërtet i madh”, tha guvernatori i Floridës në një konferencë shtypi të hënën, duke u kërkuar banorëve që “të qëndrojnë të qetë”, por “bëni atë që ju nevojitet për të qenë të përgatitur”.
Ai shpalli gjendje të jashtëzakonshme për të gjithë vendin gjatë fundjavës dhe ka aktivizuar 5.000 trupa të Gardës Kombëtare për të ndihmuar personat të cilët do të kenë nevojë.