Botë

Irani raporton për 41 protestues të vdekur, numri besohet të jetë më i lartë

Ka shkuar në 41 numri i personave të vdekur në Iran që nga fillimi i trazirave për shkak të vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, shkroi të hënën “The Guardian”.

Personat që humbën jetën janë kryesisht protestues, por ka mes tyre edhe anëtarë të forcave të sigurisë që u kujdesën për protestuesit tash e 10 ditë.

Ky është numër zyrtar, por besohet se numri është shumë më i lartë.

Grupi i të Drejtave të Njeriut në Iran (IHR) me bazë në Norvegji, tha të dielën mbrëma se shifra reale e viktimave është më e lartë.

Sipas IHR-së, numri i të vdekurve ka shkuar të paktën në 57, por ndërprerjet e vazhdueshme të internetit po e bëjnë edhe më të vështirë konfirmimin e vdekjeve në protestat e udhëhequra kryesisht nga gratë.

Qindra protestues, aktivistë dhe gazetarë janë arrestuar në protestat që nga fillimi i trazirave pas vdekjes së 22-vjeçares Amini në paraburgimin e policisë, më 16 shtator.

Amini u ndalua nga policia e moralit pasi nuk mbante shaminë siç duhet.

Disa protestuese, në shenjë revolte, kanë hequr dhe djegur shamitë e tyre në protesta dhe kanë prerë flokët nën duartrokitjet e turmave që brohorisnin "grua, jetë, liri".