Botë

Irani “i vendosur” t’i shtypë protestat paqësore

Descriptive Text

“Amnesty International” ka paralajmëruar se provat e mbledhura tregojnë për “një model tronditës të forcave iraniane të sigurisë që qëllojnë qëllimisht dhe në mënyrë të paligjshme me municion të vërtetë ndaj protestuesve”

(BBC) - Presidenti i Iranit është zotuar të marrë masa kundër protestuesve pas më shumë se një jave demonstratash antiqeveritare.

Presidenti Ebrahim Raisi u zotua të "merret me vendosmëri" me protestat, të cilat tani janë përhapur në shumicën e 31 provincave të Iranit.

Zyrtarët thonë se rreth 35 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i protestave për vdekjen e Mahsa Aminit në paraburgimin e policisë. Amini ishte arrestuar për dyshime se kishte thyer rregullat e shamisë. Oficerët thuhet se e kanë rrahur me shkop në kokë dhe i kanë përplasur kokën në një prej automjeteve të tyre. Policia ka thënë se nuk ka prova për ndonjë keqtrajtim dhe se ajo pësoi "insuficiencë të papritur të zemrës".

Dhe ndërsa Raisi thotë se vdekja e saj do të hetohet, ministri i tij i Brendshëm, Ahmad Vahidi, ka këmbëngulur se Amini nuk është rrahur.

“Janë marrë raporte nga organet mbikëqyrëse, janë intervistuar dëshmitarët, janë shqyrtuar videot, janë marrë mendimet mjekoligjore dhe është konstatuar se nuk ka pasur rrahje”, tha ai.

Videot që qarkullojnë në mediat sociale kanë dëshmuar trazira të dhunshme në dhjetëra qytete anembanë vendit gjatë ditëve të fundit, me disa që tregojnë forcat e sigurisë që gjuanin municion të vërtetë mbi protestuesit në qytetet veriperëndimore Piranshahr, Mahabad dhe Urmia.

Më shumë përleshje në disa qytete, përfshirë kryeqytetin Teheran, u raportuan të shtunën. Raportohet se demonstruesit po shpërndahen për të shmangur grumbullimin në një vend të vetëm.

Në rrjetet sociale janë shfaqur edhe imazhe të reja që tregojnë protestuesit duke hedhur bomba me benzinë ​​ndaj forcave të sigurisë. Ndërkohë, grupi reformist, Unioni i Partisë Popullore të Iranit Islamik, ka bërë thirrje që kodi i detyrueshëm i veshjes të shfuqizohet dhe të lejohen "demonstrata paqësore".

“Amnesty International” ka paralajmëruar se provat e mbledhura tregojnë për "një model tronditës të forcave iraniane të sigurisë që qëllojnë qëllimisht dhe në mënyrë të paligjshme me municion të vërtetë ndaj protestuesve".

AI-ja shtoi se forcat qeveritare qëlluan për vdekje 19 njerëz - përfshirë tre fëmijë - vetëm të mërkurën mbrëma. BBC-ja nuk mund ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë.

Raisi i ka cilësuar protestat si “trazira”. Irani, tha ai, duhet “të merret me vendosmëri me ata që i kundërshtojnë sigurinë dhe qetësinë e vendit”.

Qindra njerëz janë arrestuar nga forcat e sigurisë, me shefin e policisë në provincën veriperëndimore të Guilanit që njoftoi të shtunën se rreth 739 njerëz, përfshirë 60 gra - janë arrestuar vetëm në rajonin e tij.

BBC-ja ka dëgjuar dëshminë e disa prej të arrestuarve që pretendojnë se janë rrahur. Njëri tha se ai u rrah “pamëshirshëm” përpara se të burgosej në një qeli të vogël me qindra të tjerë, ku u privuan nga ushqimi, uji dhe aksesi në një banjë.

Forcat qeveritare kanë nisur gjithashtu një goditje ndaj mediave të pavarura dhe aktivistëve. Mbikëqyrësi i medias me bazë në SHBA, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, thotë se 11 gazetarë janë arrestuar që nga e hëna.