Botë

Vuçiqi konfirmon anti-evropianizmin në Serbi: Populli serb është kundër anëtarësimit në BE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për mediat pas samitit të Procesit të Brdi-Brionit në Slloveni dhe ka prekur shumë tema.

Ka folur për Kosovën, për vizitën e ndaluar në Jasenovc të Kroacisë, por edhe për disponimin e serbëve sa i përket BE-së.

“Sot po të mbahej referendum në Serbi, populli jonë do të votonte kundër anëtarësimit në BE”, ka thënë Vuçiq, përcjell “B92” të hënën.

Kjo që tha Vuçiq për gazetarët, sipas presidentit kroat, Zoran Milanoviq, është diskutuar edhe në mbledhjen e presidentëve të rajonit në Brdo-Brioni.

“Duhet të vëmë theks se në këtë moment bashkëndjenja publike në Serbi lidhur me anëtarësimin në BE është mjaft negative dhe e njëjta është edhe në një pjesë të Bosnjës. Vuçiqi tha sot se 80 për qind janë kundër anëtarësimit të Serbisë në BE. Llogaritet si një rajon anti-evropian”, ka thënë ai.

Serbia kohëve të fundit është akuzuar se po refuzon të shkëpusë lidhjet me Rusinë, edhe pas agresionit të këtij vendi ndaj Ukrainës. Po ashtu ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë, me gjithë thirrjet e Brukselit e Washingtonit zyrtar. Është ndër shtetet e pakta në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë.