Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka quajtur presidentin aktual, Joe Biden “armik të shtetit”, në tubimin e parë të mbajtur që kur FBI-ja kontrolloi shtëpinë e tij në Florida për dosje të ndjeshme, shkroi BBC-ja të dielën.
Në fjalimin e tij para mijëra mbështetësve në Ëilkes-Barre të Pensilvanisë, Trumpi e akuzoi Bidenin se ka armatosur FBI-në kundër tij.
“Bastisja ishte një nga abuzimet më tronditëse të pushtetit nga çdo administratë në historinë amerikane", ka thënë Trump.
76 vjeçari e kaloi pjesën e parë të fjalimit të tij gati dy orësh duke kritikuar kontrollin e FBI-së, por më pas iu kthye temave të njohura, si pretendimet e rreme se iu vodhën zgjedhjet e vitit 2020.
Ai bëri thirrje disa herë që njerëzit që merren me drogë të marrin dënimin me vdekje.
Ish-presidenti është aktualisht i përfshirë në një përleshje ligjore me autoritetet federale për një sasi të vogël dokumentesh të klasifikuara që FBI-ja kapi muajin e kaluar.
Autoritetet qeveritare thonë se Trumpi mori dhe ruajti dokumentet e Shtëpisë së Bardhë në mënyrë të jashtëligjshme, duke përfshirë disa shënime sekrete, në shtëpinë e tij në Florida.