Botë

Gorbaçovi kujtohet si lider që i mungon Rusisë

Ish-lideri rus që i dha fund Luftës së Ftohtë, Mikhail Gorbaçov, është varrosur të shtunën në Moskë me funeralin pa nderime shtetërore, të cilin e shmangu presidenti Vladimir Putin. “Do të doja që ne të kishim më shumë njerëz si ai”, ka thënë Yulia Prividennaya, pjesëmarrëse në funeralin e ish-liderit rus.

Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-liderit sovjetik, Mikhail Gorbaçov, i njohur për reformat drastike që i dhanë fund Luftës së Ftohtë dhe luajti rol vendimtar në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Mirëpo ceremoninë e lamtumirës për të e shmangu presidenti Vladimir Putin, shkroi AP.

Refuzimi i Kremlinit për të organizuar funeralin shtetëror reflekton ndasitë për trashëgiminë e Gorbaçovit, që nga bota u lavdërua për heqjen e Perdes së Hekurt, por në sytë e shumë rusëve ishte fajtor për shembjen e Bashkimit Sovjetik dhe tkurrjen ekonomike që la në varfëri miliona prej tyre.

Të enjten Putini ka lënë lule në arkivolin e Gorbaçovit në spitalin e Moskës. Kremlini ka deklaruar se agjenda e ngjeshur e presidentit ia ka pamundësuar që të marrë pjesë në funeral.

I pyetur për angazhimet që do t’ia pamundësojnë Putinit pjesëmarrjen, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se presidenti do të ketë takime pune, thirrje ndërkombëtare dhe se do të bëhet gati për forumin e biznesit në Lindjen e Largët të Rusisë.

Arkivoli i Gorbaçovit, i cili vdiq të martën në moshën 91-vjeçare, është vendosur në varrezat Vovodevichy të Moskës. Ai është varrosur përkrah bashkëshortes së tij, Raisa.

Turma e madhe e njerëzve i detyroi organizatorët e ceremonisë që ta shtynin varrimin për më shumë se dy orë. Ata që shkuan për ta parë trupin e tij në sallën afër Kremlinit, ishin plotësisht në dijeni se liria që ofroi Gorbaçovi është shtypur nga Putini.

“Dua ta falënderoj atë për lirinë e fëmijërisë sime, të cilën nuk e kemi sot”, ka thënë Ilya, shërbyes financiar që refuzoi ta tregonte mbiemrin.

“Jam bir i pestroikas”, ka thënë ai, duke përdorur fjalën ruse për reformën e Gorbaçovit që në shqip do të thotë rindërtim ose iniciativë.

“Do të doja që ne të kishim më shumë njerëz si ai”, ka thënë Yulia Prividennaya, pjesëmarrëse në funeralin e ish-liderit rus. “Kemi nevojë për politikanë të tillë që zgjidhin situatën në botën që është pranë Luftës së Tretë Botërore”.

Ani pse ishte një ceremoni prestigjioze, Kremlini nuk e ka cilësuar si funeral shtetëror. Ka deklaruar se ceremonia do të ketë elemente të shtetit, siç ishin rojat e nderit dhe ndihmën e Qeverisë për organizimin e varrimit

Shpallja e funeralit shtetëror të Gorbaçovit do ta obligonte pjesëmarrjen e Putinit dhe Moskës do t’i kërkohej të ftonte liderët e huaj, diçka që ishte e pamundur të bëhej në kohën e tensioneve me Perëndimin për shkak të luftës në Ukrainë.

Ceremonia për Gorbaçovin ishte relativisht modeste krahasuar me funeralin shtetëror që iu bë Boris Yeltsinit në vitin 2007. Yeltsini ishte lideri i parë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe personi që i hapi rrugë Putinit në postin e presidentit.