Botë

India zbulon vaksinën e saj të parë kundër kancerit cervikal

Instituti indian i Serumit (SII), që njihet edhe si prodhuesi më i madh në botë i vaksinave, ka krijuar vaksinën e parë të këtij shteti kundër kancerit cervikal, e cila pritet të dalë në treg shumë shpejt, ka bërë të ditur kompania dhe qeveria indiane të enjten.

Kanceri cervikal është lloji i katërt më i përhapur i kancerit ndër gra në të gjithë botën, me një vlerësim prej 604,000 raste të reja dhe 342 vdekje vetëm në vitin 2020, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), raportoi Reuters të enjten.

Sipas vlerësimeve shkencore, rreth 90 për qind e rasteve të reja dhe vdekjeve me këtë sëmundje ndodhin në shtetet që kanë të hyra të ulëta dhe mesatare.

Dy lloje të papillomavirusit njerëzor (HPV), 16 dhe 18, janë përgjegjës për të paktën 70 për qind të kancereve cervikale, derisa Departamenti indian i Bioteknologjisë ka thënë se vaksina e zbuluar do të ketë efekt në të dy llojet, 16 dhe 18, e po ashtu edhe për dy llojet e tjera, 6 dhe 11 të kancerit.

Merc & Co dhe GSK Plc janë prodhuesit kryesorë të vaksinave HPV.

Shefi ekzekutiv i “SII”, Adar Poonawalla ka thënë përmes një deklarate për media se vaksina do të jetë e gatshme për shitje brenda pak muajsh, së pari për tregun indian dhe më pas edhe për tregun global.

Sipas tij, vaksina do të ketë çmim prej 2,51-5,03 dollarësh, derisa kompania, ka për synim që të prodhojë rreth 200 milionë doza brenda dy vjetësh.

Vaksina do të administrohet nëpërmjet injeksionit, në dy doza për moshat 9-14 vjeç dhe në tri për moshat 15-26 vjeç.