Botë

Putini i gatshëm të trajnojë luftëtarë të huaj

Presidenti i Rusise, Vladimir Putin

“Rusia sinqerisht ushqen lidhje të forta historikisht, miqësore dhe vërtet të besueshme me vendet e Amerikës Latine, Azisë dhe Afrikës. Ne jemi të gatshëm t'u ofrojmë aleatëve tanë llojet më moderne të armëve, nga armët e vogla te mjetet e blinduara dhe artileria deri te aviacioni luftarak dhe mjetet ajrore pa pilot", tha Putini gjatë fjalës së hapjes

Rusia është e gatshme të furnizojë pajisje ushtarake për vendet aleate në Amerikën Latine, Azi dhe Afrikë, si dhe është e hapur për trajnimin e luftëtarëve të huaj, tha presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë ceremonisë së hapjes "Ushtria-2022".

“Rusia sinqerisht ushqen lidhje të forta historikisht, miqësore dhe vërtet të besueshme me vendet e Amerikës Latine, Azisë dhe Afrikës. Ne jemi të gatshëm t'u ofrojmë aleatëve tanë llojet më moderne të armëve, nga armët e vogla te mjetet e blinduara dhe artileria deri tek aviacioni luftarak dhe mjetet ajrore pa pilot", tha Putini gjatë fjalës së hapjes.

“Ne e vlerësojmë shumë faktin që vendi ynë ka shumë aleatë, partnerë, njerëz me mendësi të njëjtë në kontinente të ndryshme”, tha Putini.

Putin theksoi gjithashtu avantazhet e trajnimit të ushtarëve të huaj në Rusi dhe tha se Rusia fton aleatët të bëjnë stërvitje të përbashkëta ushtarake.

“Ne shohim gjithashtu perspektiva të mëdha në trajnimin e ushtarakëve të huaj dhe trajnimin e tyre të avancuar. Mijëra profesionistë ushtarakë nga e gjithë bota janë studentë krenarë të universiteteve dhe akademive ushtarake të vendit tonë”, tha Putini.

Rusia do të vazhdojë të punojë me energji në këtë fushë të rëndësishme, tha ai.

Dobësohet fuqia ruse në terren

Në të njëjtën ditë zyrtarët ukrainas në terren kanë thënë se prania e Rusisë në rajonin jugor të Khersonit dhe pjesë të Zaporizhzhias po dobësohet pasi linjat e furnizimit janë në shënjestër çdo ditë nga sistemet ukrainase me rreze të gjatë, shumë prej tyre të furnizuara nga aleatët perëndimorë.

Ivan Fedorov, kryetar i Melitopolit të pushtuar, tha se shkatërrimi i një ure hekurudhore në jugperëndim të qytetit në fundjavë kishte komplikuar më tej rrugët ruse të furnizimit.

Fedorov tha në televizionin ukrainas se "armiku përdor Melitopolin si qendër logjistike për transportin, transferimin e municioneve dhe armëve të rënda. Armiku transporton shumicën e municioneve me hekurudhë. Natën një urë hekurudhore u hodh në erë. Armiku ende nuk mund ta rivendosë atë; rrënojat po çmontohen."

Fedorov, i cili nuk është në Melitopol, pohoi gjithashtu: "Ne shohim largimin e personelit ushtarak nga Khersoni në Melitopol. Personeli ushtarak i nxjerr familjet e tyre nga Melitopol".

Ai tha se rusët kishin shtuar sigurinë në Melitopol, që është në rajonin e Zaporizhzhias, duke kontrolluar popullsinë lokale. “Filtrimi masiv i civilëve vendas vazhdon në Melitopol, në shtëpitë e njerëzve, në rrugë”, tha ai.

Fedorov shtoi se Shërbimi Rus i Sigurisë (FSB), rojat rezervë ruse dhe njësitë speciale çeçene ishin të pranishëm në Melitopol.

Ai tha se deri në 6.000 njerëz po prisnin në radhë për evakuim.

"Njerëzit presin pesë deri në shtatë ditë, e kalojnë natën në anë të rrugëve. Është më e shpejtë të largohesh përmes Krimesë, njerëzit përdorin edhe këtë rrugë", tha ai.

Ndërkohë Serhii Khlan, këshilltar i kreut të Administratës Civile Ushtarake në Kherson, i tha televizionit ukrainas të hënën se sulmet e vazhdueshme nga forcat ukrainase mbi urat përtej lumit Dnjepër shkaktuan vështirësi serioze për forcat ruse.

"Pamundësia e furnizimit të rusëve me municion na lejon të themi se nëse ata nuk mund të zgjidhin çështjen e kalimit në bregun e djathtë të Dnjeprit në dy javët e ardhshme, atëherë ata nuk do të kenë asnjë mundësi tjetër përveçse të largohen nga pozicionet e tyre”.

Khlan pretendoi se rusët e kishin zhvendosur selinë e tyre komanduese në bregun jugor të Dnjeprit.

Thirrjet për shmangien e katastrofës bërthamore

Ndërkaq dyzet e dy shtete nga e mbarë bota kanë nënshkruar një deklaratë përmes së cilës i bëjnë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga centrali bërthamor i Zaporizhias. Këto shtete thanë se prezenca e trupave ruse në këtë central ukrainas përbën “rrezik të madh”.

Deklarata, që u publikua nga Bashkimi Evropian, dënon pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës dhe thotë se prezenca e forcave ushtarake ruse në central pengon autoritetet që ta mirëmbajnë këtë uzinë dhe të respektojnë rregullat e sigurisë nga rrezatimi. Centrali i Zaporizhias është më i madhi në Evropë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fundjavës paralajmëroi se granatimet e fundit në central kanë rritur rrezikun e rrjedhjes së rrezatimit. Rusia nuk e mohon se trupat e saj gjenden në central, por hedh poshtë pretendimet se ka granatuar këtë zonë.