Venezuela ka pezulluar dërgesat e reja të naftës së papërpunuar në Evropë, sipas një marrëveshjeje “naftë për borxh”, derisa i ka kërkuar Italisë dhe Spanjës që t’i japin karburant në këmbim të ngarkesave të ardhshme, shkroi të hënën Reuters.
Kompania e naftës e Venezuelës “PDVSA” nuk është më e interesuar për marrëveshjet “naftë për borxh” që Departamenti i Shtetit i SHBA-së autorizoi në maj, kanë thënë burimet.
Uashingtoni autorizoi dërgesat për sa kohë që të ardhurat e ngarkesave përdoreshin për të shlyer borxhin e akumuluar që PDVSA-ja u detyrohej sipërmarrjeve të përbashkëta me Enin e Italisë dhe Repsolin e Spanjës.
Dërgesat e naftës së Venezuelës, veçanërisht ato të dërguara në rafineritë në Spanjë, kanë ndihmuar Evropën të reduktojë blerjet e naftës ruse që nga pushtimi i Ukrainës. Por kushtet e marrëveshjes nuk ia kanë siguruar paratë e nevojshme apo karburantin PDVSA-së, rafineritë e së cilës po luftojnë për të prodhuar benzinë dhe naftë.
Sipas burimeve, PDVSA-ja dëshiron të marrë karburant në këmbim të naftës së papërpunuar të saj, ndërsa përdor një pjesë të vlerës së ngarkesave për të kompensuar miliarda dollarë borxhe ndaj partnerëve si Chevron, Eni dhe Repsol.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.