Policia amerikane ka arrestuar 48-vjeçarin shqiptar, Astrit Bushi, pasi akuzohet për vrasjen e kolegut të tij.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 11 gusht në një fabrikë të General Motors në Oakland të SHBA-së, ku Astrit Gjon Bushi sulmoi dhe vrau kolegun e tij Gregory Robertson i cili punonte si pastrues në fabrikë, shkruan The Detroit News të dielën.
Sherifi i Policisë së qarkut Oakland, Michael Bouchard tha në një njoftim për shtyp se Robertson kishte punuar në fabrikë për rreth shtatë muaj. Ndërkohë shqiptari nuk ka rrëfyer ende motivet që e kanë shtyrë drejt krimit të rëndë.
Viktima dhe i dyshuari punonin për një shërbim pastrimi. Ata po punonin në një dok të uzinës në 455 Giddings Road në Orion Township kur ndodhi incidenti.
Bushi u gjet duke qëndruar në një zonë të uzinës, jo shumë larg nga ku u gjet trupi i Robertson dhe u arrestua pa incidente, tha zyra e sherifit.
Bushi, nëpërmjet një përkthyesi, kërkoi një avokat të caktuar nga gjykata.