Një emigrant nga Afganistani është arrestuar si i dyshuari kryesor për vrasjet serike të katër burrave myslimanë në shtetin amerikan të New Mexicos, që më parë shkaktoi shqetësim tek autoritetet dhe komuniteti islamik, shkruan CNN.
Pasi myslimani i katërt u vra pak ditë më parë, guvernatori i këtij shteti federal amerikan shpalli dyshimin se bëhej fjalë për “vrasje serike”.
Ai pati thënë se viktimat mund të jenë në shënjestër për shkak të fesë dhe racës së tyre, duke bërë që të vendosë siguri të shtuar rreth xhamive në zonën e Albuquerque për disa ditë. “Ne po përpiqemi të zbusim frikën e një sulmuesi të shtyrë nga urrejtja anti-myslimane”, tha policia në atë kohë.
Menjëherë pas kësaj, ata njoftuan se 51-vjeçari Muhammad Syed, një nga personat e komunitetit të emigrantëve islamikë në qytet, ishte arrestuar.
Hetuesit janë ende duke u përpjekur të lidhin motivet pas vrasjeve të katër burrave, por autoritetet thanë se vrasjet mund të kenë qenë të rrënjosura në urrejtjen personale, ndoshta me ngjyrime sektare ndër-myslimane. Të gjitha viktimat ishin me origjinë afgane ose pakistaneze. Një u vra në nëntor dhe tre në dy javët e fundit.
Një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në Albuquerque gjeti "prova që tregojnë se autori i njihte viktimat në një farë mase dhe një konflikt ndërpersonal mund të ketë çuar në të shtënat", shtoi policia.