Botë

Vriten 17 ushtarë dhe katër civilë nga luftëtarë të armatosur në Mali

Vriten 17 ushtarë dhe katër civilë nga luftëtarë të armatosur në Mali

17 ushtarë të Malit dhe katër civilë janë vrarë gjatë në një sulm të ndodhur gjatë fundjavës në jug të vendit, ka njoftuar ushtria e Malit, shkroi të hënën “Al Jazeera”.

Viktimat dyshohet se janë vrarë nga luftëtarët e armatosur me një lidhje të dyshuar me grupin ISIL.

Nëntë ushtarë janë raportuar gjithashtu të zhdukur, teksa automjetet dhe pajisjet janë shkatërruar si rezultat i sulmit të së dielës pranë qytetit Tessit, që ndodhet në një zonë kufitare strategjike midis Malit, Burkina Fasos dhe Nigerit.

Në deklaratën e lëshuar nga autoritetet e Malit, thuhet se forcat e këtij vendi kanë vrarë të paktën shtatë nga luftëtarët.

Dy nga civilët e vrarë ishin zyrtarë të zgjedhur lokalë, thanë të afërmit e tyre për agjencinë e lajmeve AFP.

Mali po përballet me një betejë të përkeqësuar kundër grupeve të armatosura, disa të lidhura me Al-Kaedën dhe ISIL, të cilat kanë marrë mijëra jetë dhe kanë detyruar qindra mijëra të largohen nga shtëpitë e tyre.

Dhuna fillimisht shpërtheu në Malin verior në vitin 2012, por që atëherë është përhapur në qendër dhe në jug të vendit, si dhe në fqinjët Niger dhe Burkina Faso.