Botë

Zjarrfikësi që pa i pari aksidentin në Kroaci: Ishte si të shikoje një film horror

Numri i të vdekurve në aksidentin e trafikut të mëngjesit të së shtunës në Kroaci ka shkuar në 12, ndërsa numri i të lënduarve në 43. Të gjithë me nënshtetësi polake. Tronditëse është dëshmia e njërit prej zjarrfikësve që mbërriti i pari në vendngjarje, transmeton Jutarnji.

Autobusi me targa polake doli nga autostrada Zagreb - Goriqan në orën pesë pas mesnate.

Ivan Ivanqan është komandanti i Kompanisë Vullnetare të Zjarrfikësve “Breznički Hum”, e cila ishte ndër të parat në vendin e aksidentit. Në një prononcim për Jutarnji, ai ka treguar se çfarë kanë parë kur kanë arritur në vendin e aksidentit.

"Ishte e tmerrshme. Ishte si të shikoje një film horror. Na telefonuan në 5:50 të mëngjesit. Po nxirrnim të vdekurit, ishin më shumë se 10 të tillë. Autobusi u përplas në kanal dhe e gjithë pjesa e përparme e autobusi u shtyp. Autobusi dukej sikur kishte goditur një mur. Një shofer doli nga xhami i përparmë dhe tjetri ishte në autobus. Nuk kam përjetuar diçka të tillë që kur jam një zjarrfikës dhe unë jam 60 vjeç”, deklaroi Ivanqan.

Ai theksoi se kanë ndërhyrë një numër i madh i zjarrfikësve, teknikëve dhe mjekëve të Emergjencës dhe policëve. Ndërhynë shërbimet e urgjencës nga qarqet e Zagrebit dhe Varazhdinit.

"Ishte e tmerrshme. Ne bëmë gjithçka që mund të bëhej për të nxjerrë viktimat dhe të mbijetuarit", shtoi ai.

Ende nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar aksidentin, por sipas dëshmive të para dyshohet se shoferin e zuri gjumi.