Botë

Putin takohet me Erdoganin: BE-ja duhet ta falënderojë Turqinë për transitin e gazit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan dhe homologu rus, Vladimir Putin, zhvilluan të premten një takim në Soçi, ku diskutuan marrëdhëniet ndërmjet shteteve, si dhe situatën globale politike, ekonomike dhe të sigurisë, e cila është kryesisht e përcaktuar nga situata në Ukrainë, shkruan CNN.

Sipas mediave ruse, Erdogan dhe Putin diskutuan kryesisht për eksportin e drithit ukrainas nga portet e Detit të Zi, por edhe për situatën energjetike në Evropë.

"Putin theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Erdoganit në zgjidhjen e çështjes që lidhet me eksportin e grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi. Ai falënderoi Erdoganin për fillimin e eksportit dhe faktin që në të njëjtën kohë u mor një vendim për dërgimin e ushqimeve dhe plehut rus në tregjet botërore”, shkruan Tass.

Për sa i përket situatës energjetike, liderët e Turqisë dhe Rusisë iu referuan rëndësisë së Rrjedhës Turke.

“Presidenti rus e quajti Rrjedhën Turke një nga arteriet më të rëndësishme për furnizimin e Evropës me gazin rus. Ndryshe nga të gjitha rrugët e tjera të furnizimit, Rrjedha Turke funksionon pa asnjë shqetësim”, u theksua në komunikatë.

Në kuadrin e krizës energjetike, Putin kishte një mesazh edhe për liderët e vendeve të BE-së.

"Unë mendoj se partnerët evropianë duhet t'i jenë mirënjohës Turqisë për sigurimin e transitit të qetë të gazit tonë në tregun evropian", shtoi Putin.

Erdogan dhe Putin diskutuan çështje dypalëshe, me liderin turk që sqaroi se bisedimet do të ndihmojnë në përcaktimin e rolit që luajnë Turqia dhe Rusia në rajon.

“Unë besoj se takimi i sotëm do të hapë një kapitull krejtësisht tjetër në marrëdhëniet ruso-turke”, tha Erdogan.

Gjithashtu, liderët e Rusisë dhe Turqisë diskutuan për importin e gazit natyror dhe ndërtimin e termocentralit bërthamor Akkuyu në Turqi, për të cilin është përgjegjëse Rusia.

Ky është takimi i dytë mes Erdoganit dhe Putinit në më pak se një muaj.