Sulmi me dron po fuqizon gjithashtu provat në rritje se pas 20 vjetësh të pranisë ushtarake të Amerikës dhe më pas largimit të papritur, Afganistani është bërë përsëri një terren aktiv për grupet terroriste islamike që synojnë të sulmojnë Perëndimin
Administrata Biden po e lavdëron operacionin e CIA-s që vrau liderin e “Al-Qaidas”, Ayman al-Zawahri, si sulm monumental kundër rrjetit global terrorist, përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001. Por ka edhe një anë negative.
Sulmi me dron po fuqizon gjithashtu provat në rritje se pas 20 vjetësh të pranisë ushtarake të Amerikës dhe më pas largimit të papritur, Afganistani është bërë përsëri një terren aktiv për grupet terroriste islamike që synojnë të sulmojnë Perëndimin.
Gjashtë muaj përgjim
Operacioni, i kryer gjatë fundjavës, pas të paktën gjashtë muajsh monitorimi të lëvizjeve nga Al-Zawahri dhe familja e tij, erdhi vetëm disa javë para përvjetorit të një viti të tërheqjes kaotike të SHBA-së nga vendi.
Administrata e Bidenit po pranon se operacioni u tregon amerikanëve në vend dhe aleatëve jashtë vendit se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë humbur fokusin, ose aftësinë për të goditur terroristët në rajon dhe vërteton vendimin e saj për t'i dhënë fund dy dekadave të luftimeve në Afganistan me tërheqjen e saj.
Duke njoftuar për sulmin nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Joe Biden tha të hënën mbrëma se ishte vënë “drejtësi” ndaj një lideri, i cili javët e fundit kishte regjistruar video duke u bërë thirrje ndjekësve të tij të sulmonin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët. Dhe Shtëpia e Bardhë të martën e cilësoi operacionin si një fitore të madhe kundër terrorizmit.
“Presidenti e ka mbajtur fjalën e tij kur ne u larguam”, tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, në emisionin “Today” të NBC. “Pas 20 vjetësh lufte për ta mbajtur këtë vend të sigurt, ai tha se ne do të jemi në gjendje të vazhdojmë të synojmë dhe të largojmë terroristët në Afganistan pa trupa në terren”.
Detajet e operacionit sekret
Por ndërsa detajet e operacionit vazhdojnë të dalin, administrata ka zbuluar gjithashtu prova shqetësuese të pranisë së “Al-Qaidas” dhe të talebanëve që i ofruan sërish strehim grupit që ishte pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë besojnë se anëtarët e lartë të Rrjetit Haqqani, një grup terrorist islamik me lidhje të forta me talebanët, ishin në dijeni se Al-Zawahri ishte në Kabul. Sullivan tha se Al-Zawahri nuk ishte i përfshirë në planifikimin e përditshëm, në kohën e vrasjes së tij, ai vazhdoi të luante rol aktiv në drejtimin e Al-Qaidas dhe paraqiste "kërcënim të madh" kundër Shteteve të Bashkuara dhe qytetarëve amerikanë.
Të martën, Departamenti i Shtetit përditësoi kujdesin e tij në mbarë botën, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë që udhëtojnë jashtë vendit se "ekziston një potencial më i lartë për dhunë antiamerikane duke pasur parasysh vdekjen e Ayman al-Zawahrit".
Shqetësimet rreth përpjekjeve të “Al-Qaidas” për t'u rigrupuar brenda Afganistanit të kontrolluar nga talibanët nuk janë të reja.
“Ringjallja” e “Al-Qaedas”
Përpara sulmit, zyrtarët ushtarakë amerikanë, duke përfshirë gjeneralin Mark Milley, shef i Shtabit të Përbashkët, kishin thënë se “Al-Qaida” po përpiqej të rigrupohej në Afganistan, ku përballet me kërcënime të kufizuara nga talebanët tani në pushtet. Udhëheqësit ushtarakë kanë paralajmëruar se grupi ende aspironte të sulmonte SHBA-në.
Sipas një raporti të Këshillit të Sigurimit të OKB-së muajin e kaluar, lidershipi i “Al-Qaidas” thuhet se ka luajtur një rol këshillues që kur talebanët u kthyen në pushtet në krye të tërheqjes së SHBA-së.
Raporti i OKB-së vuri në dukje gjithashtu se ISIS-K, grupi që kreu një sulm masiv që vrau 13 trupa amerikane dhe dhjetëra afganë pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit vetëm disa ditë përpara se SHBA-ja të përfundonte tërheqjen e saj vitin e kaluar, është bërë gjithnjë e më aktiv në Afganistanin verior dhe lindor. Ky është një shqetësim për Perëndimin edhe pse ISIS-K dhe talebanët përkrahin ideologji dhe interesa të ndryshme, me ISIS-K që kryen kryengritje të përgjakshme kundër talebanëve dhe pakicave fetare në të gjithë Afganistanin.
“Prania e Zawahrit në Afganistanin pas tërheqjes sugjeron që, siç pritej, talebanët po u ofronin sërish strehë të sigurt liderëve të ‘Al-Qaidas’, një grup me të cilin nuk është shkëputur kurrë”, tha Nathan Sales, ambasador dhe koordinator për antiterrorizmin gjatë administratës Trump, i cili tani është një anëtar i lartë në Këshillin Atlantik.
Frank McKenzie, gjeneral në pension i marinës, i cili deri në fillim të këtij viti ishte oficeri më i lartë ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme, tha se SHBA-ja ka vënë re një përpjekje të “Al-Qaidas” për të rivendosur kampet e trajnimit në Afganistan.
"Unë nuk shoh asgjë që po ndodh në Afganistan tani, që më thotë se talebanët janë të vendosur për të parandaluar që kjo të ndodhë", tha ai në një intervistë.
“Prishja” e rehatisë
Që nga tërheqja e trupave amerikane, udhëheqësit ushtarakë amerikanë kanë thënë se aftësia e Amerikës për të monitoruar dhe goditur një objektiv në vend do të ishte e vështirë, por jo e pamundur.
Sulmi ndaj Zawahrit i vërtetoi të dyja, tha McKenzie, i cili tani është drejtor ekzekutiv i Institutit të Sigurisë Globale dhe Kombëtare në Universitetin e Floridës Jugore.
Por ai paralajmëroi që të mos nxirren përfundime të gjera nga ky sulm i vetëm me dron.
"Kjo ishte një rrethanë unike", tha ai. “Ti kishe një objektiv që nuk lëvizte dhe ata patën mundësinë të shikonin mirë modelin e jetës. Nuk do të jetë gjithmonë kështu. Në fakt, zakonisht nuk është kështu”.
Që Al-Zawahri jetonte në një lagje të Kabulit dhe jo në Afganistanin rural, siç besohej më parë, "ju tregon se ai ishte vërtet rehat" nën mbrojtjen e talebanëve, tha Colin Clarke, drejtor i kërkimit në The Soufan Group, grup global inteligjence dhe firmë sigurie.
Përktheu: Forca Jashari