Botë

Ekrani bie mbi performuesit gjatë koncertit të grupit “Mirror” në Kinë

Një ekran gjigant ka rënë duke lënë të lënduar këngëtarin dhe një valltar para fansave të tmerruar, në një koncert në Hong Kong të grupit muzikor “Mirror”.

Ekrani i madh shtypi njërin nga këngëtarët përpara se të rrëzohej mbi të tjerët, shihet në videon që po qarkullon në internet, raportoi BBC të enjten.

Koncerti muzikor u ndërpre menjëherë dhe menaxheri i grupit u kërkoi fansave të dilnin me qetësi nga arena.

Policia e Hong Kongut konfirmoi për shtypin lokal se dy valltarë u shtruan në spital.

Një spital lokal tha se këngëtari, i cili u shtyp nga ekrani pësoi lëndime në qafë dhe së është në gjendje të rëndë në kujdesin intensiv, ndërsa një tjetër është stabil, raportoi South China Morning Post. 

Disa gra, pjesëmarrëse në koncert, u trajtuan gjithashtu për tronditje.

Grupi i djemve ka performuar në Coliseum të Hong Kongut të enjten mbrëma, si pjesë e një serie shfaqjesh.

Udhëheqësia e qytetit ka urdhëruar që pjesa e mbetur e turneut të pezullohet, derisa të kryhen kontrolle sigurie në vendet e tjera.

"Jam i tronditur nga incidenti", tha udhëheqësi i ri i qytetit, John Lee.

Grupi muzikor është jashtëzakonisht i popullarizuar në qytet dhe shpesh vlerësohet me rigjallërimin e Cantopop - muzikës pop lokale të Hong Kongut.

Anëtarët e saj janë disa nga personazhet e famshëm në Hong Kong, sot.

Grupi u formua në vitin 2018 dhe që atëherë ka përjetuar sukses, duke arritur audiencë në të gjithë Azinë.