Në vitin 1948, trupi i një burri i veshur mirë, u gjet i shtrirë në një plazh australian.
Një cigare gjysmë e tymosur ishte mbështetur në jakën e tij dhe kishte një varg nga një poezi persiane në xhep - por hetuesit nuk e kishin idenë se kush ishte ai.
Teoritë ishin të shumta, duke përfshirë atë se personi - i quajtur Burri Somerton - ishte një spiun.
Por pas më shumë se 70 vitesh, një studiues thotë se ai e ka zgjidhur misterin – Burri Somerton ishte Carl Webb.
Dhe ai nuk ishte një agjent rus, por një inxhinier elektrik i lindur në Melbourne.
Policia e Australisë nuk e ka konfirmuar zbulimin, por thotë se do të dalë së shpejti me komunikatë.
Pushuesit e plazhit e gjetën trupin e shtrirë në Somerton Beach në Adelaide, më 1 dhjetor 1948.
Burri ishte i veshur në kostum dhe kravatë dhe dukej se ishte në të 40-at ose të 50-at.
Në xhep kishte bileta të autobusit dhe trenit, çamçakëz, shkrepëse dhe një pako cigare. Nuk kishte kuletë, para dhe dokument identifikimi.
Etiketat në kostumin e tij ishin prerë dhe ekzaminuesit dyshuan se ai ishte helmuar.
Pati edhe gjëra të tjera. Një valixhe me më shumë veshje me etiketa të hequra dhe shkrime të paqarta që besohej të ishin kod.
Ai kishte edhe një copë letre të grisur me fjalët në gjuhën persiane “Tamam Shud”, që do të thotë “ka përfunduar”.
Gjurmët e gishtave të burrit Somerton u dërguan nëpër botë por askush nuk mundi ta identifikonte.
Ai u varros në një varrezë në Adelaide më 1949 me gurin që shkruante: “Këtu prehet burri i panjohur që u gjet në plazhin Somerton”.
Mbetjet e burrit u zhvarrosën vitin e kaluar nga policia për ta zgjidhur rastin.
Profesori Derek Abbott mundi ta analizonte ADN-në e burrit duke përdorur flokët e ruajtura kur autoritetet bënë një model plastike të fytyrës së tij.
Sipas Abbottit, Webb u lind më 1905 në Melbourne. Ishte më i vogli nga gjashtë fëmijët dhe i martuar.
“Kemi prova se ai ishte ndarë nga bashkëshortja dhe ajo kishte shkuar në Australinë jugore. Ka mundësi që ai erdhi për ta gjetur atë”.