Botë

Gazprom: Furnizimi i BE-së me gaz do të shkurtohet edhe më tej nga e mërkura

Descriptive Text

Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, ka thënë se do të shkurtojë edhe një herë në mënyrë drastike furnizimet me gaz në Bashkimin Evropian përmes tubacionit të tij kryesor për shkak të punëve të mirëmbajtjes, shkroi të hënën BBC-ja.

Gazprom ka njoftuar se ndalimi i një turbine tjetër në tubacionin Nord Stream 1 do të reduktonte prodhimin ditor të gazit në 20 për qind, duke përgjysmuar nivelin aktual të furnizimit.

Qeveria gjermane tha se nuk ka asnjë arsye teknike për të kufizuar furnizimin me gaz.

Tubacioni Nord Stream 1, i cili pompon gazin nga Rusia në Gjermani, ka funksionuar shumë nën kapacitet për javë të tëra dhe u mbyll plotësisht për një pushim 10-ditor të mirëmbajtjes në fillim të këtij muaji.

Rusia furnizoi BE-në me 40 për qind të gazit të saj vitin e kaluar dhe BE-ja e ka akuzuar Rusinë për përdorimin e energjisë si armë.

Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve që të reduktojnë përdorimin e gazit me 15 për qind gjatë shtatë muajve të ardhshëm, pasi paralajmëroi se Rusia mund të frenojë ose të ndalojë plotësisht furnizimet.

Gazprom i kontrolluar nga shteti rus ka thënë se reduktimi i fundit i furnizimit do të fillojë të mërkurën për shkak të "gjendjes teknike" të njërës prej dy turbinave të fundit që funksionojnë.

Reduktimi i vazhdueshëm i furnizimit me gaz përmes Nord Stream 1 mund ta bëjë më të vështirë për vendet që të rimbushin rezervat e tyre përpara dimrit, kur përdorimi i gazit është shumë më i lartë.