Zyrtarët turq kanë thënë se një marrëveshje mbi një plan të OKB-së për të zhbllokuar eksportet e drithit ukrainas, do të nënshkruhet të premten në Stamboll, raportoi AP.
Zyra e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan tha se ai, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dhe zyrtarë nga Rusia dhe Ukraina do të mbikëqyrin ceremoninë e nënshkrimit. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.
Guterres ka punuar në një plan që do t'i mundësonte Ukrainës të eksportojë miliona rezerva drithërash që kanë ngecur në portet e Detit të Zi të Ukrainës për shkak të luftës - një veprim që mund të lehtësojë një krizë globale ushqimore që ka bërë që çmimet e grurit dhe të drithërave të tjera të rriten.
Javën e kaluar, palët u takuan në Stamboll, duke arritur një marrëveshje paraprake mbi planin. Marrëveshja parashikon kontrolle të përbashkëta të anijeve ndërsa ato largohen dhe mbërrijnë në portet e Detit të Zi dhe një mekanizëm për të garantuar sigurinë e rrugëve të transferimit, thanë zyrtarët turq.