Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, sot në Sofje nënshkruan protokollin dypalësh pas mbledhjes së komisionit të përbashkët ndërqeveritar, i cili parasheh procedurat dhe dinamikën e kapërcimit të dallimeve mes tyre, që janë pjesë e propozimit francez.
Nënshkrimi i protokollit dhe mbajtja e mbledhjes së komisionit ndërqeveritar pasoi pasi dje propozimi francez u miratua nga Qeveria pas miratimit të konkluzioneve në Kuvendin e Maqedonisë.
Sipas Osmanit, një kapitull i ri me qëllim që bashkëpunimi të jetë më i ngushtë dhe i bazuar në besim.
“Për ne është një mundësi historike që pas 17 vjetësh status kandidat, Maqedonia e Veriut merr mundësinë që nesër, pasnesër, të fillojë negociatat me BE-në, ne çka fillon fazën e fundit të anëtarësimit tonë në BE. Shpresojmë që ky proces dypalësh bashkëpunimi me Republikën e Bullgarisë, por edhe rruga tjetër e negociatave të anëtarësimit me BE-në, do të mundësojë bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve. Presim mbështetje nga Republika e Bullgarisë në këtë rrugë, e cila sapo ka filluar negociatat për anëtarësim në BE”, tha Osmani.
Gençovska tha se Bullgaria është vendi që mbështet fuqishëm integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Me nënshkrimin e protokollit hapet rruga për mbajtjen e konferencës së parë politike ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.