Botë

Partia gjermane në pushtet nis procedurën për përjashtimin e mikut të Putinit, Schroeder

Partia Social Demokratike e Gjermanisë (SPD), që është në pushtet, ka nisur një diskutim për përjashtimin e ish-kancelarit Gerhard Schroeder nga partia.

Procedura ka nisur të enjten në Hannover, me arsyetimin se Schroeder ka një qëndrim miqësor ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe se ai mbështet politikat e tij.

“Vetë Schroeder mori vendimin se marrëdhënia e tij financiare dhe personale me Putinin është më e rëndësishme se sa partia e tij”, tha nënkryetari i SPD, Thomas Kutschaty për të përditshmen “Rheinische Post”.

Kërkesën për përjashtimin e Schroederit e kanë paraqitur 17 anëtarë të SPD-së.

Debati për përjashtimin e Schroederit po zhvillohet në selinë e degës së SPD-së në Hannover, pasi ish-kancelari vjen nga ajo degë.

Schroeder ishte kancelar i Gjermanisë nga viti 1998 deri më 2005.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ai është kritikuar ashpër nga publiku gjerman, por nuk ka dashur të heqë dorë nga pozicionet e tij në kompanitë ruse të gazit.

Vetëm pasi presioni u bë i tepërt, ai dha dorëheqjen nga pozicioni i tij në Bordin e Drejtorëve të Rosneft, por nuk i ndërpreu kontaktet me Putinin dhe e mbrojti atë miqësi në një intervistë të fundit.

“Nuk do të heq dorë nga mundësitë e mia për dialog me presidentin Putin”, tha ai në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Schroeder pritet të luftojë kundër përjashtimit nga partia.

Përjashtimi i fundit i një anëtari të njohur të partisë SPD ishte dëbimi i ish-senatorit të financave nga Berlini, Thilo Sarrazin, për postime anti-islam.