Botë

Kaos nëpër Evropë, punëtorët e aeroporteve duan paga më të larta

Kaos i madh është shkaktuar në aeroportet gjermane dhe franceze për shkak të grevës dhe protestës së punëtorëve. Në mungesë të punëtorëve stafi i aeroportit gjerman të Hamburgut ka organizuar grevën, teksa në Francë punëtorët kanë kërkuar paga më të larta për të përballur inflacionin në ngritje. Në muajin kur kanë filluar pushimet verore pritjet nëpër aeroporte kanë zgjatur deri në dy orë.

Qindra udhëtarë kanë shkuar në aeroport një ditë më herët me qëllim që të zënë fluturimin e tyre. Kaos më i madh në aeroportet gjermane pritet gjatë ditëve të ardhshme. Deri në 50 mijë udhëtarë çdo ditë shfrytëzojnë aeroportin e Hamburgut. Për të përballuar mungesën e punëtorëve, Qeveria gjermane pritet të lejojë hyrjen e qindra punëtorëve të huaj me qëllim që të ndihmojnë në aeroport.

Një numër i madh i asistentëve pritet të vijnë nga Turqia. Ndërkaq, vonesa të gjata pati në aeroportin “Charles de Gaulle” në Paris dhe aeroportet e tjera franceze. Punëtorët francezë kanë mbajtur grevën për të kërkuar ngritjen e pagave në kohën e krizës së madhe ekonomike. Aeroportet franceze nuk janë përballur me kaosin si në Londër, Hamburg dhe në qytete të tjera evropiane, por të premten punëtorët kërkuan vëmendjen e qeverisë.

Protesta pritet të mbahen edhe gjatë ditëve në vazhdim, ndërkaq autoritetet e aeroporteve kanë paralajmëruar vonesa të gjata në fluturime.