Botë

Krerët ukrainas me deklaratë të përbashkët për anëtarësim në BE

Descriptive Text

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kryeministri, Denys Shmyhal, dhe kryetari i parlamentit, Ruslan Stefanchuk, kanë nënshkruar një deklaratë mbi synimin e vendit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Zelensky ka shkruar në Telegram se deklarata e tyre e përbashkët ishte një "sinjal i unitetit të të gjitha degëve të pushtetit" dhe dëshmi se Ukraina ishte e vendosur për të arritur qëllimin e saj strategjik për arritjen e anëtarësimit të plotë në BE, raportoi BBC të premten.

Presidenti shtoi se rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit nuk duhet të zgjasë vite apo dekada.

"Ne duhet ta mbulojmë këtë rrugë shpejt. Po bëjmë pjesën tonë të punës pa të meta," shtoi ai.

Më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se anëtarësimi në BE ishte "në dorë" për Ukrainën, por i kërkoi vendit të ecë përpara me reformat kundër korrupsionit.

Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE vetëm pesë ditë pas pushtimit të Rusisë më 24 shkurt dhe blloku 27 anëtarësh pranoi kandidaturën e saj më 23 qershor, në një sinjal të fortë mbështetjeje.