Dy ditë pasi u pajtua të heq bllokadën për anëtarësimin në NATO të Suedisë dhe Finlandës, presidenti i Turqisë ka paralajmëruar se Ankaraja ende mund ta bllokojë procesin nëse dy shtetet dështojnë t’i përmbushin kërkesat e tij, raportoi të premten The Guardian.
Recep Tayyip Erdogan ka thënë në samitin e NATO-s në Madrid se marrëveshja 10 pikëshe me palët nordike ishte fitore për Ankaranë dhe adresonte të gjitha çështjet.
Ai veçanërisht theksoi përmbushjen e kërkesës së Turqisë nga Suedia dhe Finlanda që të ekstradojnë të dyshuarit për terrorizëm me lidhje me grupet kurde ose me rrjetin e klerikut Fethullah Gulen.
Por, Erdogani shtoi se nëse dy shtetet nordike nuk mbajnë premtimet e tyre, parlamenti turk mund të refuzojë të ratifikojë marrëveshjen e arritur të martën. Pranimi në NATO duhet të aprovohet zyrtarisht nga 30 shtetet anëtare, e cila i jep secilit të drejtën e vetos.
“Kjo punë nuk do të funksionojë nëse ne nuk e kalojmë në parlamentin tonë”, ka thënë Erdogani. “Fillimisht, Suedia dhe Finlanda duhet t’i përmbushin detyrat e veta dhe ato tashmë janë në tekst... por nëse ato nuk i përmbushin, atëherë sigurisht nuk ka asnjë mënyrë që ta dërgojmë në parlamentin tonë”.
Erdogani pretendoi se Suedia ka premtuar ekstradimin e 73 “terroristëve” në Turqi dhe fundin e financimit dhe aktiviteteve të rekrutimit të partisë së Punëtorëve të Kurdistanit – të listuar si grup terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Teksti i memorandumit nuk paraqet ndonjë numër specifik të ekstradimeve. Thotë se Finlanda dhe Suedia d të adresojnë “kërkesat në pritje të deportimit ose ekstradimit të të dyshuarve për terrorizëm në mënyrë të shpejtë dhe të plotë, duke marrë parasysh informacionin, dëshmitë dhe inteligjencën e ofruar” nga Turqia në përputhje me Konventën Evropiane për ekstradim.
Me nënshkrimin e memorandumit, NATO ka lëvizur përpara me ftesën e dy shteteve nordike në aleancën ushtarake që po kërkon zgjerimin dhe fuqizimin si përgjigje kundër pushtimit rus të Ukrainës.