Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, u kritikuar rëndë nga një komision hetimor për vendimin që çoi në mbytjen e miliona vizonëve gjatë pandemisë së koronavirusit, me arsyetimin se po e përhapnin virusin.
Siç raportoi BBC-ja të enjten, Frederiksen do t’u përgjigjet kritikave të komisionit gjatë së premtes, ndërsa vendimi për t’i mbytur vizonët u tha se nuk kishte kornizë ligjore për zbatim.
Komisioni hetimor i krijuar nga Parlamenti, tha ndër të tjera se ndonëse vendimi për mbytjen e kafshëve nuk ishte “me dëshirë”, ai u bë pa analizë. Komisioni tha se u mbytën edhe vizonët që nuk ishin të infektuar.
Nëntorin e 2020-s, të paktën 17 milionë vizonë u mbytën nëpër fermat e Danimarkës, pasi një mutacion i variantit COVID-19 u gjet te to.
Vendimi që çoi në mbytjen e vizonëve, shkaktoi reagim të madh në publik. Ministri i Bujqësisë, Mogens Jensen, dha dorëheqje, derisa nisi një hetim ndaj Qeverisë nëse ishte në dijeni që po i mungonte korniza ligjore për zbatim të vendimit.
Vizonët janë gjitarë të familjes Mustelidae. Kanë ngjashmëri me minjtë, kanë katër këmbë dhe lëvizin shpejt. Pesha e tyre maksimale është dy kilogramë, ndërsa janë të njohur për gëzof, duke e bërë ndër kafshët më të kërkuara.