Presidenti indonezian, Joko Widodo, ka thënë se ia ka dërguar një mesazh nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, udhëheqësit rus, Vladimir Putin.
Widodo u takua të mërkurën me presidentin ukrainas në një vizitë në Kiev, derisa të enjten ka qenë në Moskë për një takim me Putinin, raportoi BBC-ja të enjten.
“Unë ia përcolla mesazhin e presidentit Zelensky – presidentit Putin”, tha Widodo pas bisedimeve në Moskë.
Ai nuk zbuloi se çfarë thoshte mesazhi, por shtoi se ka shprehur gatishmërinë e tij për të ndihmuar në fillimin e komunikimit midis dy liderëve.
Widodo tha se Indonezia do të vazhdojë të bashkëpunojë me Rusinë, ndërkohë Putini u tha gazetarëve se Rusia është e gatshme të përmbushë nevojën e Indonezisë për plehra - furnizimi i të cilave është ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore.
Udhëheqësi indonezian është president aktual i grupit të kombeve G20 dhe anëtar i një grupi krize të Kombeve të Bashkuara, i krijuar për të trajtuar kërcënimin e urisë globale që rezultoi nga lufta.
Widodo e ka ftuar Zelenskyn në samitin e G20-ës që mbahet në Bali, në nëntor.
Agjencia franceze e lajmeve AFP, raportoi se presidenti ukrainas i tha Widodos se pjesëmarrja e tij do të varej se kush tjetër do të ishte pjesëmarrës. Rusia është anëtare e G20-s dhe për këtë, Putini pritet të marrë pjesë.