Botë

Tmerri në kërkim të viktimave në qendrën tregtare të Ukrainës

Descriptive Text

Të mbijetuarit kanë treguar për AP-në se në momentin e bombardimit kishte “qindra” njerëz brenda qendrës tregtare. Deri më tani, 18 persona janë konfirmuar të vdekur, të paktën 20 të tjerë janë raportuar të zhdukur, teksa dhjetëra të tjerë janë në kujdes intensiv. Në orët pas sulmit, grupet lokale të Telegramit u mbushën me mesazhe paniku që kërkonin informacione për vajzat, vëllezërit e miqtë e humbur.

Si të vajtoni kur nuk mund të gjenden trupat? Si të vazhdoni jetën kur personi që keni dashur u bë pluhur brenda pak sekondash? Këto janë disa nga pyetjet e paimagjinueshme me të cilat tani po përballen shumë në Kremenchuk, pasi sulmi ajror ka shkatërruar qendrën tregtare të mbushur plot.

Shumë kishin mbajtur shpresë se lufta nuk do të arrinte deri në qytetin e tyre. Që nga pushtimi, postblloqet ishin ngritur në hyrje të qytetit. Sirenat e sulmit ajror lëshoheshin herë pas here. Në një rafineri nafte, në periferi të qytetit, kishte pasur dy sulme, pa viktima. Mirëpo, për qytetarët e Kremenchukut, qytet i freskët në brigjet e lumit Dnipro në Ukrainën qendrore, qindra kilometra larg vijës së frontit, qyteti u kishte ofruar atyre ndjenjë sigurie relative.

Më pas, raketa ruse u lëshua në qendrën tregtare Amstor, duke ndezur flakë të madhe që e dogji ndërtesën e i bllokoi ata që ishin brenda për pak minuta.

Disa ishin ndalur pranë qendrës tregtare teksa ktheheshin në shtëpi nga puna, për ta ndrequr telefonin a për të blerë rroba. Mirëpo, përpara se ta merrnin vesh se çfarë po ndodhte, ndërtesa u bë ferr, zjarri brenda saj ishte aq i nxehte saqë shkriu metalin e xhamin.

Qindra njerëz

Të mbijetuarit kanë treguar për AP-në se në momentin e bombardimit kishte “qindra” njerëz brenda qendrës tregtare. Deri më tani, 18 persona janë konfirmuar të vdekur, të paktën 20 të tjerë janë raportuar të zhdukur, teksa dhjetëra të tjerë janë në kujdes intensiv. Në orët pas sulmit, grupet lokale të Telegramit u mbushën me mesazhe paniku që kërkonin informacione për vajzat, vëllezërit e miqtë e humbur.

Midis atyre që ende po kërkojnë për të afërmin e tyre është Oleksandr Baybuza, kunati i të cilit, Kostiantyn Voznyi punonte brenda Amstorit në kohën e sulmit.

Baybuza ka treguar për AP-në së familja nuk kishte informacione për vendndodhjen e Voznyit.

“Të gjithë shpresojnë se është gjallë, se është diku i lënduar”. Askush nuk po i humb shpresat. Krejt presin lajme të mira. Jemi shumë të shqetësuar”, u shpreh Baybyza me fytyrë të zbehtë e të rraskapitur.

Kur lufta kishte nisur, Voznyi e kishte dërguar gruan dhe fëmijët të sigurt jashtë vendit. Ai kishte qëndruar në Kremenchuk në pamundësi për t’u larguar nga vendi për shkak të ligjit ushtarak, ku përfundoi duke punuar në një dyqan elektronik në rreshtin kryesor të qendrës tregtare Amstor. Oleksandr ka treguar se dëshmitarët e kishin parë duke punuar atje pasdite.

Familja nuk ka mundur ta gjejë në asnjë spital lokal. Mostrat e ADN-së janë marrë nga fëmijët e Voznyit dhe babai i tij. Tani fillon pritja e tmerrshme.

Katërmbëdhjetë psikologë të shërbimit të urgjencës po punojnë aktualisht në vendin e shpërthimit me familje si Voznyi dhe me të mbijetuarit. Psikologët përballen me një detyrë të vështirë: Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që të afërmit mund të mos gjejnë kurrë asnjë gjurmë të të dashurve të tyre.

Gjymtimi i trupave

Image

Svitlana Rybalko, zyrtare shtypi për Shërbimet Shtetërore të Emergjencave, i ka thënë AP-së se krahas të vdekurve të identifikuar, hetuesit kishin gjetur copa të 8 trupave të tjerë. “Policia nuk mund të njoftojë me siguri se sa viktima ka. Pra, ne nuk po gjejmë trupa, por copëza trupash. Tani po pastrojmë pikërisht në epiqendrën e shpërthimit. Këtu praktikisht nuk mund të gjejmë trupa, si të tillë”.

Psikologët po punojnë për t’i ndihmuar familjet të pajtohen me idenë se mund të mos i gjejnë kurrë të afërmit e tyre.

“Gjëja kryesore është: ne nuk u japim atyre shpresë shtesë. Ne nuk themi se gjithçka do të jetë në rregull. Se të dashurit tuaj do të nxirren të gjallë nga rrënojat pas disa ditësh. Nëse themi kështu, ata do të kenë shpresa të rreme, pritshmëri të rreme”, ka shpjeguar Yuliia Falieva, psikologe e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave.

“Është e rëndësishme që ata ta pranojnë këtë realitet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka theksuar një psikolog tjetër, i cili foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për mediat. “Është më mirë të çlirohen emocionet tani në vend që të mbesin për më vonë”.

Falieva ka thënë se detyra kryesore e psikologëve është të qëndrojnë pranë atyre që vuajnë, t’i dëgjojnë, t’i ndihmojnë ata në këtë periudhë thellësisht traumatike. Ajo ka treguar se kryesisht njerëzit nuk u drejtohen psikologëve për të kërkuar ndihmë, ndaj është detyra e tyre të identifikojnë se kush ka nevojë për mbështetje.

“Ne zgjedhim vizualisht njerëzit që kanë nevojë më shumë për ndihmë. Mund të jetë një person që është shumë i emocionuar, dridhet, qan shumë ose sillet në mënyrë agresive”, ka bërë të ditur Falieva, duke shtuar se ajo i ka ndihmuar njerëzit që kërkojnë fëmijët e tyre, ish-punonjësit e qendrës tregtare që shqetësoheshin për kolegët dhe qytetarët e shqetësuar.

Pritjet e gjata

Të mërkurën në mëngjes, disa njerëz që ende shpresonin të merrnin lajme për të dashurit e tyre qëndruan pranë rrënojave të qendrës tregtare. Një grua e re u ul këmbëkryq në tokë e qante duke i fshehur lotët e saj me syze dielli të errëta. Një grua tjetër u ngushëllua nga psikologu. Njëri, burrë që nuk donte ta jepte emrin, u shfaq i shqetësuar teksa qëndronte duke i vështruar rrënojat. Ai kishte sjellë lule të verdha për t’i shtruar në memorialin aty pranë. “Isha atje, gati sa vdiqa”, ka theksuar ai. “Nuk duhej të kisha ardhur këtu, ishte një ide e keqe – as nuk mund ta shikoj këtë… dua t’i vras ​​këta rusë të poshtër”.

Ashtu si shumë nga banorët që tani vijnë për të parë me mosbesim të heshtur rrënojat e Amstorit, edhe Falieva, psikologe me përvojë krizash, është ende në shok.

“Kam 20 vjet që punoj, por kjo është përvoja e parë e këtij lloji. Para se të kishim situata krize të lidhura me natyrën, përplasjet në trafikun rrugor. ... Përgjatë këtyre ditëve të gjata të gjithë ne po ndjejmë këtë lloj tronditjeje, konfuzioni dhe zemërimi”.

Kremenchuku duhet të shërbejë si kujtesë se teksa vendi është në luftë, asgjë nuk është e sigurt, kanë lajmëruar zyrtarët ukrainas. Iryna Venediktova, Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, e cila vizitoi vendin e shpërthimit të martën, ka thënë se të gjithë qytetarët duhet të presin raketa në hyrje “çdo minutë” dhe “të jenë gati”.

Psikologjikisht është e vështirë për shumë njerëz ta pranojnë tragjedinë që e goditi qytetin e tyre të qetë buzë lumit.

“Ende nuk mund ta besoj se lufta erdhi edhe në qytetin tonë. ... Pse duhet të bëhet e gjithë kjo? Për qytetarët paqësorë, për një objekt paqësor. Nuk e kuptoj kuptimin e kësaj lufte. … Çka i shtyn këta barbarë?”, pyeste Denys Ipatov, banor i Kremenchukut.

Përktheu: Blerta Haxhiu