Botë

SHBA: Putini ende dëshiron ta pushtojë shumicën e Ukrainës

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ende dëshiron ta pushtojë shumicën e Ukrainës, është thënë nga agjencitë amerikane të inteligjencës, raporton BBC.

Trupat ruse janë dobësuar nga lufta dhe zyrtarët amerikanë vlerësojnë se janë në gjendje të bëjnë përparim të vogël territorial.

Kjo nënkupton se lufta mund të zgjasë për një kohë të gjatë, ka thënë drejtoresha e Inteligjencës Nacionale në SHBA, Avril Haines.

Në mars, Moska u rifokusua në tentimet për ta pushtuar rajonin Donbas të Ukrainës, pasi dështoi t’i pushtonte Kievin e qytetet tjera.

Haines thotë se Putini ende ka qëllimin e njëjtë, ta pushtojë shumicën e Ukrainës. Por, është e vështirë se Rusia do ta arrijë.

“Ka një mospërputhje mes ambicieve të Putinit dhe aftësive të ushtrisë”, ka thënë Haines.

Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt. Deri më tash Rusia ka pushtuar një pjesë të madhe të rajonit Donbas.

Komentet e Hainesit erdhën në ditën kur liderët e NATO-s premtuan se do të qëndrojnë në krah të Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur për një aktivizim të madh të aleancës. Ndërsa presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka shtuar se NATO do të forcohet në të gjitha drejtimet e fushat.

Suedia e Finlanda janë ftuar t’i bashkohen NATO-s.

Duke reaguar ndaj mundësisë që dy shtetet nordike të bëhen pjesë e NATO-s, Putin, ka akuzuar aleancën ushtarake se qëllimisht po eskalon tensionin.

“Nëse trupat e NATO-s dhe infrastruktura vendoset, atëherë Rusia do të jetë e detyruar të reagojë”, ka thënë Putin, gjatë një vizite në Turkmenistan.

Britania e madhe ka premtuar një ndihmë tjetër ushtarake prej 1 miliard funte për Ukrainën. Vetëm SHBA-ja ka ofruar më tepër ndihmë për Ukrainën.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shtetit të tij i duhen rreth 5 miliard dollarë në muaj për ta financuar luftën kundër Rusisë.