Kalimi i gjerë i më shumë se 1 milion votuesve, porcion i vogël i elektoratit të përgjithshëm të SHBA-së, nuk garanton sukses për republikanët në zgjedhjet e mesme të muajit nëntor, të cilat do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit dhe dhjetëra qeverisje.
Një ndërrim politik i krahëve ka filluar të marrë formë nëpër krejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi mijëra votues periferikë që ndihmuan në fitoren e partisë demokrate në vitet e fundit kanë nisur të bëhen republikanë.
Më shumë se 1 milion votues përgjatë 43 shteteve amerikane janë kthyer në Partinë Republikane gjatë vitit të kaluar, thuhet në analizat e të dhënave për regjistrim të votuesve që është realizuar nga agjencia e lajmeve “Associated Press”. Numri i mëparshëm i paraportuar reflekton në fenomenin që është duke ndodhur në çdo rajon të shtetit – në shtetet demokrate dhe republikane, në qytete të vogla e të mëdha. Ky ndërrim politik ka ndodhur qëkur presidenti Joe Biden zëvendësoi ish-presidentin Donald Trump.
Mirëpo askund nuk është më i theksuar ndërrimi i anës politike dhe i rrezikshëm për demokratët sesa në periferitë, në të cilat votuesit me dy mendje mirë të arsimuar, që ia kthyen shpinën partisë republikane të Trumpit në vitet e fundit me gjasë kanë nisur të kthehen. Vetëm gjatë vitit të kaluar, më shumë votues kanë kaluar te republikanët nëpër shtetet periferike nga Denveri në Atlanta, Pittsburgh dhe Clevelandi. Republikanët gjithashtu kanë fituar përkrahje në qytetet me madhësi të mesme si Harrisburgu, Pennsylvania; Raleigh, North Carolina, Augusta, Georgia dhe Des Moines, Iowa.
Ben Smith, i cili jeton në qytetin periferik Larimer County të Colorados në veri të Denverit, thotë se me zor është regjistruar si republikan në fillim të këtij viti pasi ishte i pakënaqur me përkrahjen e demokratëve në disa lokalitete për vaksinat obliguese kundër Covid-19, paaftësinë e partisë për të ndalur krimin nëpër qytete dhe përqendrimin e vazhdueshëm në drejtësinë racore.
Në asnjërën anë
“Më shumë është refuzim matës sesa përqafim i së djathtës”, thotë Smith, këshilltar profesionist që nisi të braktiste Partinë Demokrate para pesë apo gjashtë vjetësh kur u regjistrua si libertarian.
“AP”-ja ka kontrolluar 1.7 milionë votues që me shumë gjasë kanë ndërruar përkatësinë politike në 42 shtetet amerikane në 12 muajt e fundit. Këto statistika i realizon L2, firma e të dhënave politike. L2 përdor kombinimin e të dhënave shtetërore të votuesve dhe modelimin statistikor për të përcaktuar përkatësinë partiake. Ani pse ndërrimi i partisë nuk është i pazakontë, të dhënat tregojnë për ndryshim të madh nga periudha kur Trumpi ishte në detyrë dhe kur demokratët gëzonin avantazhin e lehtë në numrin e ndërruesve të partive në mbarë SHBA-në.
Mirëpo gjatë vitit të kaluar, afërsisht dy të tretat e 1.7 milionë votuesve që ndryshuan partinë u zhvendosën në Partinë Republikane. Në total, më shumë se 1 milion njerëz u shndërruan në republikanë në krahasim me 630 mijë që dolën kah demokratët.
Kalimi i gjerë i më shumë se 1 milion votuesve, porcion i vogël i elektoratit të përgjithshëm të SHBA-së, nuk garanton sukses për republikanët në zgjedhjet e mesme të muajit nëntor, të cilat do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit dhe dhjetëra qeverisje. Demokratët shpresojnë se vendimi i Gjykatës Supreme për të rrëzuar ligjin Roe v. Wade do t’u japë energji përkrahësve, sidomos në periferi, para zgjedhjeve të mesme.
Mirëpo detajet në lidhje me ndërrimin e partive janë paralajmërim shqetësues për demokratët, të cilët tashmë ishin në hall me efektet që po krijonin peizazhin e ri politik për vjeshtën e sivjetme.
Kur kanë mbetur katër muaj para Ditës së Zgjedhjeve, demokratët nuk kanë strategji të qartë për të trajtuar popullaritetin e dobët për Bidenin dhe frikën e madhe të votuesve se SHBA-ja po shkon në drejtim të gabuar me partinë e tyre në krye. Dhe derisa republikanët kanë ofruar pak më shumë zgjidhje politike, ata kanë punuar fort për të përfituar nga mangësitë e demokratëve.
Masat e pandemisë
Republikanët përfituan vitin e kaluar kur prindërit nga qytetet periferike ishin të pakënaqur me mbylljen e zgjatur të shkollave shkaku i pandemisë. Dhe kur inflacioni u intensifikua në muajt e fundit, Komiteti Kombëtar i Republikanëve ka organizuar ditë të regjistrimit të votuesve nëpër pikat e karburanteve në zonat periferike si Arizona, Michigan, Nevada dhe Pennsylvania me qëllim që të fajësonin administratën e Bidenit me çmimet rekorde të karburanteve. Republikanët gjithashtu kanë fajësuar presidentin demokrat për mungesën e madhe të qumështit pluhur për foshnjat.
“Bideni dhe demokratët nuk kanë kontakt me amerikanët, prandaj votuesit po kthehen në Partinë Republikane”, ka thënë kryetarja e Komitetit Kombëtar të Republikanëve, Ronna McDaniel. Ajo ka parashikuar se “periferitë amerikane do të bëhen të kuqe” për shkak të “çmimeve të larta të karburanteve nga Bideni, kriza e kufirit të hapur, mungesa e qumështit pluhur dhe krimit në rritje”. Komiteti Demokrat nuk ka komentuar në lidhje me kalimin e votuesve te republikanët.
Derisa zyrtarët republikanë me shpejtësi marrin lëvdatat për këtë ndryshim partiak, fenomeni mori vrull menjëherë pasi Trumpi u largua nga Shtëpia e Bardhë. Megjithatë, arsyet për ndërrimin partiak ende mbeten të paqarta.
Së paku disa republikanë të saporegjistruar në fakt janë demokratë, të cilët ndërruan anën për të votuar kundër kandidatëve të përkrahur nga Trumpi në zgjedhjet paraprake të republikanëve. Votues të tillë me shumë gjasë do të votojnë përsëri për demokratët në muajin nëntor.
Mirëpo shtrirja dhe gjerësia e ndërrimit të partive qet në dritë diçka më të madhe. Gjatë vitit të kaluar pothuajse në secilin shtet amerikan – edhe në ato të profilit të lartë republikan – lëvizën drejt të njëjtit drejtim kur me mijëra votues u bënë republikanë. Vetëm Virginia, e cila mbajti zgjedhjet në vitin 2021, përjetoi ngritje të madhe të demokratëve. Mirëpo edhe atje, demokratët u shpartalluan në zgjedhjet mbarëkombëtare të vjeshtës së kaluar.
Në Iowa demokratët mbanin avantazhin për ndërrim të partisë me dallim 2 me 1. Kjo ka ndryshuar së fundmi republikanët tani që janë përpara me rezultat të ngjashëm. Ndërrim i njëjtë dramatik po ndodh edhe në Ohio.
Në Florida republikanët morën 58 për qind të ndërruesve të partive gjatë viteve të fundit të periudhës së Trumpit. Tani vetëm gjatë vitit të kaluar ata komandojnë 70 për qind. Në Pennsylvania republikanët u ngritën nga 58 në 63 për qind të ndërruesve të partive.
Avantazhi i tanishëm i republikanëve për ndërruesit e partive është duke luajtur rol të egër në periferitë e SHBA-së.
Largimi i demokratëve
Avantazhi i republikanëve është i madh në periferitë e shteteve në mëdyshje, të bazuar në klasifikimin nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Republikanët rritën avantazhin e tyre për ndërruesit e partive nga 168 në 235 qytetet periferike – 72 për qind – vetëm gjatë vitit të kaluar – krahasuar me vitet e fundit të periudhës së Trumpit.
Në këto shifra përfshihen qytetet periferike në: Georgia, Iowa, North Carolina, Pennsylvania, Tennesee, Texas, Ohio, Virginia dhe Washington.
Republikanët gjithashtu kanë fituar terren në qytetet edhe më periferike, të cilat demokratët i quajnë si “metrotë e mesme” – më shumë se 62 për qind e këtyre qyteteve. Në 164 prej tyre republikanët shënuan ngritje. Këto qytete periferike nisin nga veriu i Denverit, si qyteti Larimer, në ato të zonës së Los Angelesit si Ventura dhe Santa Barbara në Kaliforni.
Përparësia e republikanëve është pothuajse universale, por është më e fortë në disa vende se në tjerat.
Për shembull, në Lorain County të Ohios, pak në periferi të Clevelandit, pothuajse secili ndërrues i partisë gjatë vitit të kaluar ka dalë te republikanët. Kjo ndodhi edhe kur demokratët siguruan tre të katërtat e ndryshuesve të partive në të njëjtin qytet në epokën e Trumpit.
Plani partiak
Disa liderë konservatorë shqetësohen se ngritja e republikanëve në periferi do të jetë e kufizuar nëse ata nuk bëjnë punë të mirë në sqarimin ndaj votuesve se çfarë përfaqësojnë ata – në vend të asaj se çfarë kundërshtojnë ata.
Emily Seidel, e cila i prin organizatës “Amerikanët për Prosperitet”, thotë se rrjeti i saj për herë të parë ka vërejtur se votuesit periferikë kanë nisur të distancohen nga demokratët që përfaqësojnë pozita ekstreme politike.
“Kjo nuk do të thotë se ata janë gati të votojnë kundër atyre ligjvënësve. Sinqerisht, ata janë skeptikë për krejt opsionet që kanë. Mësimi është ky: Kandidatët duhet të shprehin argumentet e tyre, duhet t’u japin votuesve diçka për të qenë pro tyre, jo vetëm diçka kundër”, thotë Seidel.
Në Larimer County të Colorados shtëpiakja 39-vjeçare, Jessica Kroells, thotë se nuk mund të votojë më për demokratët, ani pse ishte demokrate e rryer deri në vitin 2016.
Nuk ishte asnjë moment “aha” që e bindi atë të ndërronte partinë, por në vitin 2020, ajo thotë se Partia Demokrate e hodhi anash atë.
“Vetë partia më nuk është demokrate, por socializëm progresiv”, thotë ajo, duke kundërshtuar planin e Bidenit për të eliminuar miliarda dollarë borxhe studentore.