Mjekët ia kanë mohuar abortin që mund t'ia shpëtonte jetën një gruaje amerikane që ishte për pushime në Maltë, megjithëse thanë se foshnja e saj kishte "zero shanse" për të mbijetuar, pasi ajo u shtrua në spital me gjakderdhje të rëndë në javën e 16-të të shtatzënisë.
Pavarësisht një "rreziku ekstrem" të hemorragjisë dhe infeksionit, mjekët në spitalin Mater Dei i thanë Andrea Prudentes se ata nuk do të kryenin ndërprerjen e shtatzënisë për shkak se aborti ndalohet në vend, raportoi të mërkurën The Guardian.
Prudente dhe bashkëshorti i saj po kërkojnë një transferim mjekësor nga Malta në Britaninë e Madhe, që çifti thotë se është alternativa e vetme për shkak të rrezikut për jetën e saj. Ata pretendojnë se stafi mjekësor nuk ishte bashkëpunues në përpjekjet e tyre për t'u larguar dhe në ndarjen e të dhënave mjekësore me kompaninë e sigurimit të çiftit.
"Unë thjesht dua të iki gjallë nga këtu", tha Prudente nga dhoma e saj e spitalit në kryeqytetin e Maltës, Valleta. “Nuk mund të kisha menduar në ëndrrat e mia më të çmendura një makth si ky”.
Jeta e saj është ende në rrezik.
Malta është i vetmi shtet në BE që ndalon abortin nën çfarëdo rrethane. Opsioni i vetëm për ato që duan të abortojnë aty, është të blejnë barna ilegale të abortit ose të shkojnë jashtë vendit.