Autoritetet gjermane kanë sekuestruar tri apartamente që i takojnë një parlamentari rus të sanksionuar dhe bashkëshortes së tij, raporton CNN.
Apartamentet në Mynih që i takojnë një anëtari të Dumas ruse dhe bashkëshortes së tij u sekuestruan së bashku me një llogari bankare që ishte përdorur për të menaxhuar qiratë që kapnin shifrën e 3500 euro në muaj, ka njoftuar të hënën Prokuroria e Mynihut.
Është rasti i parë që Gjermania sekuestron pasuritë që i takojnë një individi të sanksionuar në vend se t’i ngrijë ato.
Pronari i banesës është identifikuar vetëm me inicialet L.
Anëtari i Dumas ishte sanksionuar nga Bashkimi Evropian më 23 shkurt të vitit 2022 – një ditë para se Rusia ta pushtonte Ukrainën – pasi kishte mbështetur lëvizjen e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për t’i njohur territoret separatiste në Ukrainën lindore si shtete të pavarura.
Dy nga banesat ishin në pronësi të përbashkët të deputetit të Dumas dhe bashkëshortes së tij, ndërsa njëri apartament ishte vetëm në emër të bashkëshortes së tij. Si bashkëshorte e një personi të sanksionuar, edhe ajo i është nënshtruar sanksioneve, ka njoftuar Prokuroria e Mynihut.
Qiramarrësve i është lejuar qëndrimi në banesat, por ata duhet të depozitojnë paratë e qirasë në një gjykatë në Mynih e jo te pronarët e sanksionuar.
Deputeti i Dumës dhe bashkëshortja e tij po hetohen nga autoritetet gjermane për shkelje të sanksioneve në disa raste.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.