Tre palestinezë janë qëlluar për vdekje, thonë zyrtarët palestinezë, pasi përleshje të armatosura shpërthyen gjatë një operacioni izraelit në Bregun Perëndimor.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj iu përgjigjën zjarrit "për të neutralizuar" njerëzit në një veturë që kishte qëlluar mbi ta, raportoi BBC të premten.
Incidenti në Jenin është më i rëndi i këtij lloji prej javësh, pasi Izraeli kryen pothuajse bastisje ditore pas një vale sulmesh vdekjeprurëse.
Dy palestinezë që kryen vrasjet e fundit erdhën nga zona e Jeninit.
Shtatëmbëdhjetë izraelitë dhe dy ukrainas janë vrarë në të shtëna, goditje me thikë, përplasje me makina dhe një sulm me sëpatë në Izrael dhe Bregun Perëndimor që nga fundi i marsit.
Dhjetëra palestinezë, përfshirë sulmuesit, janë vrarë në konfrontimet me forcat izraelite që atëherë.
Dëshmitarët i kanë thënë BBC-së se ushtria izraelite po kryente një bastisje kërkimi në qytetin e vjetër të Jeninit të premten në mëngjes, dhe se ka pasur shkëmbime masive me armë zjarri mes tyre dhe militantëve palestinezë.
Ushtria izraelite tha se ndërsa trupat e tyre lëviznin nga një vend, pasagjerët e një veture në anë të rrugës hapën zjarr.
Të gjithë ata që ishin në veturë u vranë. Ushtria tha se ushtarët gjetën dy pushkë, një automatik dhe municione në automjet.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, Wafa, tha se pas incidentit shpërthyen "përleshje të ashpra", duke lënë 10 palestinezë të plagosur.
Ndërsa Izraeli tha se forcat e tij nuk pësuan viktima.